Site icon Telegrafi

Merkel nuk ka prova për ta shpallur lëvizjen e Gulenit “terroriste”

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se vendi i saj ka nevojë për më shumë prova për të shpallur terroriste lëvizjen e klerikut turk, Fetullah Gulen.

Turqia i kërkon Gjermanisë të bëjë një gjë të tillë, duke thënë se lëvizja e Gulenit qëndron prapa përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.

Merkel i bëri komentet në një konferencë për media në Berlin, së bashku me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Ne i marrim shumë seriozisht provat e Turqisë, por na duhen më shumë materiale për ta klasifikuar këtë lëvizje si terroriste, ashtu siç kemi bërë me grupin Partia e Punëtorëve të Kurdistanit”, tha Merkel.

Erdogan po ashtu kërkoi nga Berlini që t’i ekstradojë, siç tha ai, qindra mbështetësit e Gulenit që jetojnë në Gjermani.

Erdogan ndodhet në vizitë në Gjermani, në përpjekje për të ulur tensionet midis dy vendeve.

Në mars të vitit të kaluar, Erdogan i ka krahasuar zyrtarët gjermanë me nazistët, pasi ata ia kanë anuluar tubimet, që ai ka planifikuar t’i mbajë për diasporën turke në Gjermani, në prag të një referendumi të rëndësishëm për pushtetin e tij.

Berlini po ashtu e ka kritikuar Erdoganin për shtypjen e kundërshtarëve politikë, pas puçit të dështuar në Turqi. /kp/Telegrafi/

 

Exit mobile version