Grupi militant Shteti Islamik nuk është mposhtur, tha të premten kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Këto deklarata që janë në kundërshtim me ato të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Merkel i bëri në inaugurimin e selisë së re të shërbimit të inteligjencës në Berlin.
“I ashtuquajturi Shtet Islamik, për fat të mirë, është dëbuar nga territori që ka uzurpuar, por kjo, për fat të keq, nuk do të thotë se Shteti Islamik është zhdukur. Ai po transformohet në një forcë asimetrike të luftës. Dhe një gjë e tillë sigurisht se paraqet kërcënim”, tha Merkel, përcjell rel.
Ajo shtoi se monitorimi i ngjarjeve në luftën e Sirisë është një nga prioritetet kryesore të shërbimit gjerman të inteligjencës, ashtu si edhe ndjekja e kërcënimeve nga sulmet kibernetike dhe lajmet e rreme.
Trump ka deklaruar javë më parë se Shteti Islamik është mposhtur dhe se ai do t’i tërheqë trupat amerikane nga Siria, ku militantët e grupit islamik, deri vonë, kanë pasur nën kontroll disa territore.
Plani për tërheqje i ka alarmuar aleatët evropianë që kanë frikë se Shteti Islamik do të ringjallet në Siri, në mungesë të një plani të besueshëm të paqes që do t’i jepte fund luftës civile në këtë vend.