Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se dëshiron t’iu japë fund bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.
Në një debat televiziv me rivalin politik, Martin Schulz, Merkel tha se “është e qartë se Turqia nuk duhet të bëhet anëtare e BE-së”.
Ajo tha se do të bisedojë me liderët e tjerë evropianë për të vendosur nëse mund t’iu jepet fund bisedimeve të anëtarësimit.
“Nuk e shoh Turqinë anëtare; nuk kam besuar kurrë se kjo mund të ndodhë”, tha Merkel.
Tensionet midis Berlinit dhe Ankarasë kanë nisur të përkeqësohen pasi Gjermania ka kritikuar fuqishëm presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për shtypjen e disidentëve, pas përpjekjes për grushtshtet kundër qeverisë së tij, vitin e kaluar.
Së paku 12 shtetas gjermanë po ashtu janë në paraburgim në Turqi, nën akuza politike. /rel/