Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nga Parisi ka siguruar se Rusia do të respektojë armëpushimin në Siri, i cili hyri në fuqi javën e kaluar. Merkel tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e Kremlinit, Putin, ku ka marrë garancinë. Nga ana tjetër Hollande tha se Bashkimi Evropian duhet të rikthejë Shengenin, pavarësisht tensioneve si pasojë e krizës së klandestinëve.
Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se Presidenti, Vladimir Putin, konfirmoi angazhimin e Rusisë për të respektuar armëpushimin në Siri gjatë një bisede telefonike që ka pasur me kreun e Kremlinit dhe me tre liderë të tjerë evropianë.
“Unë doja të theksoja se respektimi i armëpushimit është një mesazh i rëndësishëm i konfirmuar nga Presidenti rus sot”, tha Merkel gjatë një konference për shtyp me presidentin francez François Hollande.
Deklarata e Kancelares erdhi gjatë një takimi në Paris me Presidentin Hollande, parapërgatitor për samitin BE-Turqi, planifikuar për të hënën për të diskutuar krizën e emigrantëve.
Hollande tha se BE-ja duhet të bëjë riparimin e marrëveshjes Shengen për kufij të hapur, pavarësisht nga tensionet e krijuara si pasojë e fluksit të klandestinëve dhe rivendosjes së kontrolleve kufitare nga disa vende.
“Objektivi ynë është rikthimi i Shengenit, nëpërmjet koordinimit, solidaritetit dhe veprimeve të përbashkëta.”
Tetë vendet të BE kanë vendosur kontrolle të përkohshme kufitare me qëllim menaxhimin e rrjedhjes së emigrantëve.
Më shumë se 1.2 milion njerëz aplikuan për azil në BE vitin e kaluar, përfshirë 363 mijë sirianë dhe 178 mijë afganë, transmeton kp.
442 mijë aplikacione janë paraqitur në Gjermani, destinacioni i preferuar i klandestinëve, e ndjekur nga Hungaria me 174 mijë dhe Suedia me 156 mijë aplikime për azil.