Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje në Bundestag për tolerancë dhe respektim të shtetit juridik. Ajo vuri në dukje përgjegjësinë e Gjermanisë për ruajtjen e paqes në botë dhe sfidat e migracionit.
“Hebrenjtë dhe myslimanët janë pjesë e shoqërisë sonë, ashtu si edhe të krishterët dhe ateistët”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, të mërkurën (12.09) në Bundestag me rastin e debatit të përgjithshëm mbi buxhetin financiar të zyrës së kancelares.
Shumica e njerëzve në Gjermani punojnë për një bashkëjetesë tolerante me njëri-tjetrin, tha Merkel më tej.
Ajo tha se ka mirëkuptim që shumë njerëz janë të konfuzionuar nga krimet që dyshohen të kenë bërë azilkërkuesit.
Dhe është një e drejtë e garantuar me kushtetutë që të bëhen demonstrata.
“Por nuk ka asnjë justifikim dhe arsye për yshtje dhe përdorim dhune, slogane naziste, urrejtje ndaj njerëzve që kanë pamje tjetër, që kanë një restorant izraelit apo sulme ndaj policëve”, tha shefja e qeverisë gjermane duke pasur parasysh në radhë të parë trazirat e kohëve të fundit në qytetin gjermanolindor, Chemnitz.
Më 26 gusht aty u vra me thika një gjerman 35-vjeçar. Tre të dyshuarit janë azilkërkues. Dy syresh janë tashmë në arrest. I treti është në kërkim.
Pas ngjarjes në qytetin e Landit të Saksonisë pati demonstrata kundër të huajve dhe dhunë të grupimeve të djathta.
Në një qytet tjetër gjermanolindor, Koethen, vdiq në fundjavë një gjerman i sëmurë nga zemra pasi kishte ndërhyrë të ndante afganë dhe gjermanë në grindje. Edhe pas këtij rasti pati demonstrata djathtiste. /dw/