Kancelarja gjermane bën thirrje për respektimin e rregullave: Kush kthehet nga pushimet nga zonat e rrezikut duhet të bëjë test.
“Ne duhet të respektojmë rregullat dhe të informojmë për rregullat”, tha Merkel të martën, 18.8.2020, gjatë një vizite në Dyseldorf.
Ajo tha se është shumë e nevojshme që të shtohen kontrollet për maskat dhe ruajtjen e distancës.
“Në këtë moment ka përparësi ruajtja e vendeve të punës dhe mbajtja hapur e shkollave dhe kopshteve”, tha kancelarja.
“Jemi në pandemi. Virusi është këtu”, tha kancelarja gjermane.
Sipas saj, rritja e lëvizshmërisë dhe shtimi i kontakteve sociale kanë bërë që javën e shkuar të dyfishoheshin rastet me COVID-19.
“Ky është një zhvillim që nuk duhet të vazhdojë kështu, e të cilin duhet ta zbusim”, theksoi kancelarja.
Ajo tha më tej se shtimi i rasteve me COVID-19 ishte shkaktuar nga pushuesit e kthyer dhe nga festimet e shkujdesura.
Rregullat e karantinës për zbutjen e virusit janë shumë të rëndësishme, tha kancelarja.
“Kush kthehet nga një zonë rreziku, duhet të testohet patjetër”. Karantina nuk është mundësi, por detyrim. “Kush del nga karantina, sepse nuk ka simptoma, megjithëse është testuar pozitivisht, i rrezikon në mënyrë masive të tjerët. Vetëm nëse bie sërish numri i infektimeve mund të ketë heqje të kufizimeve”.
Sipas institutit Robert Koch, numri i infektimeve në Gjermani gjatë shtatë ditëve të fundit (deri më 18.08.2020) është rritur gjithsej me 7,391 raste.