Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, Francois Hollande dhe Angela Merkel pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin e kanë akuzuar Moskën për bombardimet në Siri dhe kanë refuzuar që të përjashtojnë vënien e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Ajo që po ndodh në Aleppo është krim lufte. Një prej kërkesave është që bombardimet nga regjimi dhe mbështetësit e tij (rusë) duhet të përfundojnë”, tha presidenti francez Francois Hollande pas një takimi një orësh ndërmjet tre liderëve në Berlin më 20 tetor, që u zhvillua pas pesë orëve të bisedimeve për paqen në Ukrainë.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, e ka dënuar fushatën ajrore në qytetin më të madh të Sirisë duke e cilësuar si “jonjerëzore dhe mizore”. Ajo i përshkroi bisedimet me Putinin për Sirinë si “shumë të vështira”.
Të dy udhëheqësit paralajmëruan se nuk do të përjashtojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, disa orë përpara një samite të Bashkimit Evropian ku roli i Rusisë në Siri është vënë për diskutim. /REL/