Site icon Telegrafi

Merkel dekorohet me çmimin më të lartë në Gjermani, një nder që iu dha vetëm dy ish-liderëve të tjerë para saj

Ish-kancelarja Angela Merkel mori dekoratën më të lartë federale të Gjermanisë të hënën, një nder që iu dha vetëm dy ish-liderëve të tjerë para saj.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Merkel, e cila udhëhoqi vendin për më shumë se 16 vjet, mori dekoratën për arritje të veçanta nga presidenti Frank-Walter Steinmeier, ish-zëvendës kancelari dhe ministri i jashtëm i saj.

Steinmeier e vlerësoi Merkelin si një “politikane të paprecedentë” që e drejtoi me sukses Gjermaninë në kohë të vështira, duke përfshirë krizën financiare të vitit 2008 dhe krizën e refugjatëve të vitit 2015.

“Ju e keni ndihmuar vendin tonë të arrijë sërish sukses ekonomik nën sfida të paprecedentë…”, tha Steinmeier. “Në një kohë kur kontinenti ynë kërcënohej nga shpërbërja, ju mbajtët së bashku qendrën dhe periferinë, veriun dhe jugun, lindjen dhe perëndimin”.

Ndryshe, dy kancelarët e tjerë që morën këtë nder ishin Konrad Adenauer, kancelari i parë i Gjermanisë Perëndimore pas luftës dhe Helmut Kohl, i cili “mbikëqyri” fundin e Luftës së Ftohtë, si dhe ribashkimin gjerman dhe krijimin e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/

Exit mobile version