Site icon Telegrafi

Merkel anulon udhëtimin në Izrael për shkak të zhvillimeve të fundit në Afganistan

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka anuluar një udhëtim në Izrael këtë fundjavë për shkak të krizës në rritje në Afganistan, në një vendim të shpallur pak para një shpërthimi jashtë aeroportit të Kabulit, pas paralajmërimeve terroriste një ditë më parë.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, të dy udhëheqësit ranë dakord që udhëtimi do të riplanifikohet, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert.

Merkel duhej të takonte qeverinë e re izraelite gjatë udhëtimit që ishte planifikuar nga 28-30 gusht, por mori vendimin për të shtyrë udhëtimin në konsultim me kryeministrin izraelit Naftali Bennet, tha Seibert.

Gjermania, si shumë vende të tjera, po punon gjatë gjithë kohës për të evakuuar qytetarët dhe stafin lokal nga Afganistani para afatit të 31 gushtit kur trupat amerikane të largohen.

Të enjten, Bundeswehr vazhdoi fluturimet e evakuimit, megjithëse ambasada gjermane paralajmëroi njerëzit të mos vijnë në aeroportin në Kabul një ditë më parë.

Merkel fillimisht do të zbriste në Izrael mbrëmjen e së shtunës. Bisedimet ishin planifikuar me Bennett, presidentin Isaac Herzog dhe ministrin e Jashtëm, Yair Lapid të dielën. Ajo gjithashtu do të takohej me kabinetin izraelit.

Planet e mëtejshme përfshinin vendosjen e një kurore në memorialin e Holokaustit, Yad Vashem në Jerusalem, së bashku me Bennett.

Në një ceremoni në Jerusalem, Merkel do të merrte një doktoratë nderi nga Instituti i Teknologjisë Technion-Israel në Haifa.

Qeveria e re e Izraelit u betua në mes të qershorit, në një koalicion prej tetë partish, përfshirë një parti arabe për herë të parë, duke rrëzuar udhëheqësin e vjetër Benjamin Netanyahu.

Merkel, ndërkaq, jep dorëheqjen si kancelare e Gjermanisë në shtator pas 16 vitesh në pushtet. /Telegrafi/

Exit mobile version