Telegrafi

Mërgimtarët në Malishevë ankohen se po u kalon pushimi duke pritur për pasaportë (Video)

Pritje të gjata për mërgimtarët ka edhe në Komunën e Malishevës, e kësaj here për pasaportat apo letërnjoftimet e tyre.

Që nga ora 1 pas mesnate, mërgimtari Ismet Paçarizi nga Malisheva po pret për t’u futur në radhë për pasaportë, edhe pse dëshira e tij është që kohën ta kalojë pranë familjes.

“Nga ora 1:00 pas mesnate kam shënuar emrin aty dhe deri më sot, do të bëhet ora 3:00 pasdite dhe prap nuk do më vijë radha. Është shumë e mundimshme, këtë kohë unë dua ta kaloj me familje, për atë kam ardhur”, shprehet për RTV Dukagjinin Ismet Paqarizi – mërgimtar.

Dëshirën e njëjtë për të kaluar kohë me familje e shprehu edhe një mërgimtar tjetër. Ndërkohë që tregon se ishte i pranishëm gjatë ditës së djeshme, madje ka parë edhe konflikt mes qytetarëve, që prisnin në radhë.

“E pashë një ditë që qytetarët edhe filluan të rrahen mes vete. Nuk kanë faj se ndoshta janë lodhë, por për të mos u konfliktuar mërgimtarët duhet kryer punët më shpejt. Këtu është vetëm një sportel, për t’u evituar ky problem të hapen edhe 3-4 sportele tjera”, thotë mërgimtari tjetër Nazmi Hoti, përcjell Telegrafi.

E një mërgimtarit tjetër, më së shumti i dhimbsen fëmijët nga kjo pritje e gjatë.

“Ka pasur mërgimtarë edhe me fëmijë. Të rriturit edhe mund të qëndrojnë por fëmijët nuk mund të qëndrojnë. Kam dy javë për pasaportë, duhet pritur radhën, ndoshta kalon afati për me shkua, por duhet pritur”, shprehet Haki Begaj.

Ndërkaq nga zyra e informimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të kontaktuar nga RTV Dukagjini për këtë pritje në Komunën e Malishevës, thane se ky fluks i madh është për shkak të mërgimtarëve, ndërkaq shtojnë se kjo çështje është duke u trajtuar dhe se do të punohet deri në ora 18:00.

Sidoqoftë, mërgimtarët thanë se asnjëherë më parë nuk kanë rastisur në pritje më të gjatë se këtë vit./Telegrafi/