Serbia vazhdimisht ka aplikuar barriera për prodhuesit nga Kosova kur kanë tentuar që produktet e tyre t’i plasojnë në tregun e Serbisë. Këto barriera nuk janë eliminuar edhe pse në tregun e Kosovës, Serbia ka shitur mallra në vlerë prej 449 milionë euro.
Problem të shumta ka haur edhe kompania vendore farmaceutike Tre Pharm.
Mërgim Prishtina që drejton këtë kompani në një intervistë për Telegrafin ka numëruar barrierat e Serbisë karshi prodhuesve nga Kosova.
“Jo që nuk kemi pasur mundësi për eksport në Serbi, por nuk është mundësuar as aplikimi për licencimin e produkteve farmaceutike. Nuk e kemi pas mundësi për të aplikuar për regjistrim të barnave atje. Është bërë një marrëveshje për vendosjen e certifikatave në Bruksel. Serbia ka regjistruar mbi 200 produkte në Kosovë, kurse certifikata që lëshohet këtu nuk pranohen në Serbi, kjo ndoshta është problemi më i madhi”, tha ai.
Deklaratën e Mërgim Prishtinës për barrierat e Serbisë, për prodhuesit vendor mund ta ndiqni pas minutës së tretë.
Pronari i Kompanisë Tre Pharm, Mërgim Prishtina ka thënë se tregu i Serbisë është tepër i rëndësishëm për t’i plasuar produktet.
“Për neve tregu i Serbisë që është 7 milionësh është një treg shumë i rëndësishëm edhe me kapacitete shumë të mëdha. Për produktet tona kemi pasur kërkesë, madje kemi pasur edhe dy kontrata të përfunduara me dy kompani nga Serbia, ku njëra ka pasur rrjet prej 150 barnatoreve dhe ka qen e interesuar që të prodhojë tek ne 5 produkte dhe kur kemi tentuar t’i regjistrojmë produktet, nuk na është dhënë mundësia për regjistrin duke mos pranuar as aplikacionin me Republika e Kosovës. Kemi pasur probleme edhe me distributorin më të madh në Serbi për tri produkte”, tha Prishtina.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vënë fillimisht taksë prej 10 për qind, për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke e rritur pastaj në 100 për qind si përgjigje ndaj këtyre shteteve për barrierat që u vendosin prodhuesve nga Kosova kur duan të eksportojnë produktet e veta në Serbi. /Telegrafi/