Pamjet nga kamera e një shtëpie në Kaliforni kapën momentin kur një ari i hutuar u përpoq ta bënte vaktin nga një dekorim festiv i një dreri.
Dave Lester nga Zephyr Cove, në zonën e South Lake Tahoe, njëherësh pronari i shtëpisë, tha në një postim në Facebook se u zgjua të shtunën në mëngjes për ta parë drerin (Rudolf) të copëtuar nga një vizitor i hershëm. Ai e kishte vendosur drerin si dekor për Krishtlindje.
“Lajm i trishtuar”, shkroi Lester, “U zgjova këtë mëngjes dhe gjeta Rudolphin të shtrirë në tokë. Asgjë nuk mund ta ‘ngjallte’ as edhe shiriti ngjitës”.
Lester ndau pamjet e kamerave të sigurisë që tregonin drerin duke u sulmuar nga një ari që erdhi në oborrin e tij rreth orës 5 të mëngjesit. Ai tha se kafsha nuk tregoi interes për asnjë nga dekorimet e tjera në oborr, transmeton Telegrafi.
Pronari i shtëpisë tha se një grup arinjsh dihet që frekuentojnë zonën dhe zakonisht shihen rreth një herë në javë.
“Ata kanë një rrugë të vogël që e përdorin ku ecin pikërisht para shtëpive”, tha Lester.
Ai tha se arinjtë herë pas here treguan interes për Rudolfin e fryrë vitin e kaluar, por kurrë nuk e dëmtuan më parë.
“Kishte disa shikime vitin e kaluar, por për disa arsye ai mendoi se do të bënte vakt nga Rudolphi”, tha Lester. /Telegrafi/