Së shpejti do të kthehen në agjendë avancimet shkencore të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.
Menaxhmenti i ri i UP-së që tashmë është konsoliduar pas zgjedhjeve të përgjithshme, pritet që brenda dhjetë ditëve të ardhshme të sjellë vendim nëse për çështjen e avancimit të stafit akademik do të ketë konkurs të ri, apo do të shkohet me konkursin e vitit të kaluar, shkruan sot Koha Ditore.
Shpallja e një konkursi të ri për avancimet akademike, duke anuluar të vjetrin, mund të sjellë probleme të shumta dhe avancime të dyshimta e jomeritore, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Ndërsa, procedimi me konkursin e vitit të shkuar do të ishte argument se normat statutare nuk do të shpërfillen më.
Konkursi i vitit të shkuar llogaritet ligjor dhe valid, përderisa ai nuk është anuluar nga menaxhmenti i ri.