Vedat Muriqi mbetet një prej lojtarëve më të kërkuar në kampionatin turk.
Reprezentuesi i Kosovës gjatë këtij sezoni ka shkëlqyer në ligën elitare turke duke qenë realizatori i tretë me më së shumti gola.
Shumë skuadra kanë zgjuar interesim për shtatgjatin prizrenas dhe për këtë ka folur edhe menaxheri i lojtarit, Haluk Canatar.
Ky i fundit ka zbuluar për mediat vendore se për sulmuesin ka bërë ofertë konkrete skuadra e Toulouset, por nuk ka dhënë shumë detaje.
“Po, Rizespor ka marrë një ofertë konkrete nga Toulouse. Drejtori sportiv i klubit francez, Ali Rachedi ishte në ndeshjet e Rizesporit kundër Besiktasit dhe Basaksehirit”.
“Ai u nda i kënaqur me paraqitjet e sulmuesit. Tashmë mbetet në ditët në vijim të shihet se si do të zhvillohen bisedimet mes klubit të klientit tim dhe Toulouset”, tha ai.
Ndryshe, 25-vjeçari deri më tani këtë sezon ka shënuar 14 gola dhe ka pasur shtatë asistime në të gjitha garat. /Telegrafi/