Shqiptarët nga fusha të ndryshme prej vitesh kanë pushtuar arenën ndërkombëtare.
Në mesin e tyre vlen të përmenden edhe këngëtaret Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha si dhe artistja tjetër nga Shqipëria, Ava Max.
Megjithëse këto janë rritur dhe veprojnë jashtë trojeve shqiptare, një nga artistët që ka bërë bujë të madhe viteve të fundit është edhe DJ nga Ferizaj, Dardan Aliu i njohur si Regard.
Lidhur me artistët që momentalisht po dominojnë artin botëror, mbrëmë (e hënë) të ftuar në emisionin NIN ishin: grimeri Arbër Bytyqi, menaxheri i DJ Regard, Hajriz Bajrami, gazetari Vlorian Halili dhe këngëtarja Adelina Thaçi, të cilët kanë folur më shumë rreth artistëve të popullarizuar në botë dhe për debutimin e arritjet e tyre.
Menaxheri i DJ Regard, Hajriz Bajrami, thekson se para Dua Lipës dhe Rita Orës ka pasur edhe artistë të tjerë që kanë qenë të njohur ndërkombëtarisht.
“Besoj që ka pas edhe para Dua Lipës dhe Rita Orës që kanë pasur sukses, por Dua dhe Rita vlerësohen në aspektin komercial dhe ndërkombëtar dhe normalisht i kanë hapur dyert për artistë të rinj”.
“Të huajt, nuk është që e lokalizojnë Kosovën apo Shqipërinë, është një zonë e talentave apo artistave, por mendoj që ka ndikuar faktori i përzierjeve të shumë kulturave në Kosovë dhe Shqipëri, shqiptarët në këtë aspekt kanë krijuar edhe kreativitet. Shqiptarët e kanë një afërsi me depërtua shumë shpejt dhe mësojnë shpejt, po dole jashtë Kosovës dhe u adaptove ata e vlerësojnë, jemi si komb, persona që adaptohemi shpejt mësohemi shpejt dhe e shpërfaqim gjithë kreativitetin që kemi pasur ndër vite”, ka thënë ai.
I njëjti më pas flet për sukseset e Regard dhe për festivalet e mëdha në të cilat ka qenë pjesëmarrës.
“Kemi marrë kërkesën për pjesëmarrje në Exit Festival, ekipi ynë njëkohësisht edhe agjencioni që na përfaqëson për data kishin një hezitim për pjesëmarrje. Unë si menaxher i Regard thashë se kjo është e rëndësishme për të qenë pjesë, pasi është një nga nga festivalet më të rëndësishme. Exit është një festival me shumë nacionalitete, kur shqiptarët marrin pjesë në Serbi pavarësisht kundërshtimeve kërkesa është shumë e lartë, kjo është më e bukura është krenaria jonë, asnjëherë të mos frikësohemi”, vazhdon më tej Bajrami.
Krejt në fund, ai shton se viti 2020 do mbyllet me një bashkëpunim të Regard me një reper të famshëm amerikan, ndërsa në vitin 2020 do sjellë albumin e ri dhe pjesë e tij do jetë njëra nga artistet shqiptare me renome botërore.
“Tani kemi një bashkëpunim me një artist të njohur shumë amerikan, që për momentin nuk mundem me përmend, një nga artistët më të suksesshëm në tregun amerikan. Në vitin 2021 kemi albumin dhe një prej artisteve shqiptare me famë botërore do jetë pjesë e tij, Dua Lipa ose Rita Ora”, thotë mes tjerash Hajriz Bajrami. /Telegrafi/