Site icon Telegrafi

In Memoriam: Milton Glaser, dizajneri që e krijoi pamjen e viteve 1960-70

Më 26 qershor 2020, në ditëlindjen e tij të 91-të, vdiq dizajneri amerikan, Milton Glaser.

Milton Glaser konsiderohet si një nga dizajnerët më me ndikim – jo vetëm në ShBA – në pesëdhjetëvjetëshin e fundit. Mbetet i paharruar veçmas me logon kushtuar Nju-Jorkut (I ♥ NY) dhe posterin e veçantë kushtuar këngëtarit Bob Dylan.

“Milton Glaser është dizajneri grafik që ka ndryshuar vokabularin e kulturës vizuale amerikane të viteve 1960-70, me posterët e tij ekspresivë të dominuar nga ngjyrat e ndezura”, shkruan, ndër të tjera, e përditshmja “New York Times”, në artikullin njoftues për vdekjen e tij.

“Është një nga personat më me ndikim në historinë e dizajnit”, ka shkruar në llogarinë e tij të Facebook, dizajneri Jonathan Barnbrook. “Nuk mund ta imagjinoj komunitetin tonë pa të”.

“Humbje e madhe për botën e dizajnit”, ka shkruar në Instagram, regjisori Gary Hustwit.

“Të falënderoj për dizajnin tënd transformues, për vizatimin e saktë, për inteligjencën dhe për dashurinë”, ka shtuar ilustruesi i librave për fëmijë, Christoph Niemann.

Milton Glaser lindi më 26 qershor 1929, në Bronks, nga prindërit Eugene dhe Eleanor (Bergman) Glaser – emigrantë nga Hungaria. Babai i tij ishte pronar i një dyqani pastrimi dhe rrobaqepësie; nëna e tij ishte shtëpiake. Kur Milton ishte fëmijë, një kushëri më i madh se ai e vizaton një zog në një qese letre, për ta zbavitur.

“Pothuajse u stepa kur kuptova se sa lehtë mund të krijohej jeta me laps! Atë moment, vendosa se si do ta kaloj jetën time”, ka thënë Glaser më 2014, në një intervistë për revistën “‘Inc”.

Mësimet e vizatimit i vijoi tek Raphael dhe Moses Soyer, dy artistë socrealistë, para se të regjistrohej në Shkollën e Mesme të Muzikës dhe të Artit në Manhatan.

Pasi më 1951 mbaron studimet në Cooper Union – institut për zhvillimin e shkencës dhe artit – punon në departamentin e promovimit të revistës së modës ‘Vogue’. Më vonë fiton bursën Fulbright për studime në Akademinë e Arteve të Bukura në Bolonjë të Italisë, ku studion gravurën (grafike) tek piktori italiani Giorgio Morandi. Pas përfundimit të studimeve në Itali, kthehet në Nju-Jork, ku më 1954, bashkë me shokët e klasës themelon studion për dizajn – “Push Pin Studios”, president i së cilës zgjidhet ai. Kjo studio u bë e njohur për ngjyrat e saj të ndritshme, për surrealizmin krahasues dhe ekzagjerues.

Për posterin e famshëm të Bob Dylan-it, që u realizua në vitin 1967 – e që ishte pjesë e promovimit të albumit të tij me hite – e krijoi një siluetë të thjeshtë të profilit të këngëtarit, duke u frymëzuar tek autoportreti-siluetë, bardhezi, i artistit kontemporan Marcel Duchamp. Flokët e hallakatura të Dylan-it dizajneri i paraqet si shirita të dredhur me ngjyra, për të cilat thuhet se janë forma të huazuara nga arti islam. Ky poster u shtyp në afër gjashtë milionë kopje, duke u bërë pjesë e shtëpive anembanë botës.  u rishtyp disa herë dhe ajo pamje është një nga nënshkrimet vizuale të asaj periudhe).

Vepra tjetër e madhe e Glaserit padyshim se është “I ♥ NY” – logoja që u krijua për një fushatë turizmi për qytetin e Nju-Jorkut, e që u skicua në një zarf gjatë një rruge që po e kalonte me taksi. Shkronjat e rrumbullakuara i bëri me ngjyrë të zezë, kurse zemrën që simbolizonte fjalën ‘Love’ (dashuri) me një të kuqe qershie. Shumë shpejt kjo logo bëhet simbol i dashur dhe identifikues për Nju-Jorku – po aq i njohur sa dy simbolet tjera të famshme, si ndërtesa Empire State dhe Shtatorja e Lirisë.

“Jam i befasuar me krejt atë që ka ndodhur lidhur me këtë gjë të vogël që ishte rezultat i një ideje krejtësisht të thjeshtë”, ka thënë artisti më 2001, për javoren amerikane “The Village Voice”, kur pas sulmit terrorist të 11 shtatorit të atij viti u shitën me mijëra fanella në të cilat ishte logoja e tij (përmes të cilave shprehej solidariteti me njujorkezët). I frymëzuar nga kjo situatë, ai e krijoi një logo të modifikuar, ku tani shkruhej: “I ♥ NY More Than Ever” (E dua Nju-Jorkun më shumë se kurrë), me një pjesë të errësuar në zemër, që u shtyp në formë posteri.

Nga viti 1957, Glaser ishte i martuar me fotografen Shirley Girton.

 

Exit mobile version