Në emisionin “Përballje”, të transmetuar në RTV Dukagjini është diskutuar për problemin e cilësisë dhe sigurisë së prodhimeve vendore, konkretisht prodhimeve të qumështit.
Ramadan Memaj, përfaqësues i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, ka deklaruar se në Kosovë ka prezencë të enorme të vajit të palmës, që përdoret në prodhimet e qumështit.
“Në Kosovë kemi prezencë të produkteve të falsifikuara, të cilat shiten si prodhime të qumështit. Në Kosovë ka munguar informacioni sa i përket importit të vajit të palmës dhe për fat të keq ditëve të fundit është tentuar edhe të mohohet ajo”, ka deklaruar Memaj.
Sipas Memajt, importet e vajit të palmës kanë qenë legale dhe kanë qenë nëpërmjet importuesve, të cilët saktësisht dihet se kush janë e sa sasi kanë sjellë në Kosovë që është përdorur e po përdoret edhe sot.
Por, Alajdin Fusha, pronar i kompanisë “Abi’ thotë se Agjencia e Ushqimit e Veterinës duhet të vërtetojë se a ka kompani që po bëjnë produkte me vaj të palmës e jo të shantazhohen bizneset vendore.
“Nëse ka ankesa konsumatori duhet t’i drejtohet agjencionit, agjencioni i dërgon analizat, na merr – mbyll licencat, pra është problem i Agjencionit jo i personave, pronarëve të qumështarëve të cilët po na shantazhojnë. Kjo është shantazhim”. ka deklaruar Fusha.
Sipas tij më këtë që është krijuar për sigurinë e prodhimeve të qumështit dikush po dëshiron të dëmtojë produktet tona vendore.
Emisioni “Përballje” është bashkëprodhim i gazetarit Muhamet Hajrullahu me Telegrafi.com për Radiotelevizionin Dukagjini dhe transmetohet çdo të hënë në ora 20:20, kurse repriza të shtunën në ora 10:00. /Telegrafi/