Site icon Telegrafi

Meloni sot në Shqipëri, viziton qendrat për emigrantët në Shëngjin, konferencë me Ramën

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, do të vizitojë sot Shqipërinë. Ajo do të takohet me kryeministrin Edi Rama në Shëngjin, aty ku do të ndërtohen kampet e emigrantëve, dhe dy homologët pritet të mbajnë një konferencë për shtyp.

Meloni do të vizitojë dy pikat ku po ndërtohen kampet e emigrantëve, pas marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, për të pritur të gjithë emigrantët e Lindjes së Mesme që i drejtohen Italisë.

Në orën 11:15 Meloni dhe Rama do të vizitojnë zonën e Gjadrit në Lezhë dhe më pas në 12:00 në qendrën pritëse në Shëngjin do mbahet konferenca Rama-Meloni.

Masat për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit kanë nisur prej të hënës, pasi në Portin e Shëngjinit kanë mbërritur tashmë oficerë të policisë italiane.

Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ku do të ngrihet qendra e parë që do të shërbejë për identifikimin dhe regjistrimin e refugjatëve, ndërsa Gjadri do të jetë kampi për vendqëndrimin e tyre në pritje të përgjigjeve për kërkesat e azilit. Qendra pritëse do të ketë një kapacitet 3 mijë vende, ndërsa në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do t’i largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët është kundërshtuar politika italiane dhe shqiptare dhe opozitat e të dyja qeverive.

Exit mobile version