Site icon Telegrafi

Melania Trump dënon dhunën e javës së kaluar në Kongresin amerikan

Melania Trump (Foto: Los Angeles Times)

Zonja e parë, Melania Trump, dënoi dhunën e javës së kaluar në Kongresin e SHBA-së dhe bëri thirrje për “shërim, mirëkuptim dhe paqe për Kombin amerikan”.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, në një deklaratë të lëshuar përmes Shtëpisë së Bardhë, ajo dha pikëpamjen e saj për ngjarjet në Washington DC më 6 janar.

“Unë jam e zhgënjyer dhe e dëshpëruar me atë që ndodhi javën e kaluar”, u shpreh ajo.

Trump gjithashtu hodhi poshtë “thashethemet e pahijshme” rreth asaj pas trazirave të shkaktuara në SHBA.

“Më duket e turpshme që përreth këtyre ngjarjeve tragjike ka pasur thashetheme të pahijshme, sulme të padrejta personale dhe akuza të gabuara mashtruese ndaj meje”, tha Zonja e parë.

“Kombi ynë duhet të shërohet në një mënyrë civile. Mos bëni asnjë gabim për këtë, unë absolutisht e dënoj dhunën që ka ndodhur në Kapitolin e Kombit tonë. Dhuna nuk është kurrë e pranueshme”, tha mes tjerash ajo.

Trazirat e shkaktuara në Kongresin e SHBA-së erdhën në ditën kur kandidati i demokratëve Joe Biden, do të certifikohej si fituesi i zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Si pasojë e këtyre trazirave ndërruan jetë pesë persona. /Telegrafi/

Exit mobile version