Telegrafi

Meksika kryen tre teste në 100 mijë banorë: Presidenti i sheh testimet për COVID-19 si shpenzime “koti”

Para se të udhëtonte në Uashington për të takuar Donald Trumpin në fillim të këtij muaji, presidenti meksikan kreu testin e coronavirusit.

Deri atëherë, Andres Manuel Lopez Obrador nuk ishte testuar kurrë, duke argumentuar se nuk kishte nevojë për të – edhe pse disa anëtarë të kabinetit ishin infektuar me COVID-19, raporton The Guardian.

Presidenti, i njohur si Amlo, u testua për herë të dytë kur arriti në SHBA; të dy rezultatet ishin negative.

Por, testimi është i rrallë në Meksikë, madje edhe për njerëzit që shfaqin simptoma të coronavirusit në spital, transmeton Telegrafi.

Meksika kryen vetëm tre teste për 100 mijë njerëz, sipas Universitetit Johns Hopkins; 66.9 për qind e rezultateve ishin pozitive më 15 korrik. Për krahasim, Shtetet e Bashkuara kryejnë 168 teste për 100 mijë banorë.

Teoritë se pse Meksika nuk pranon të testojë gjerësisht popullatën po i befason edhe ekspertët e shëndetit publik.

Disa pohojnë se presidenti i vendit e sheh testimin si një shpenzim të tepërt: Amlo ka parashikuar vazhdimisht se pandemia do të përfundojë shpejt dhe se po bëjnë shpenzime “koti”.

Të tjerë besojnë se qeveria e Meksikës është duke u përpjekur të kopjojë qasjen suedeze për të minimizuar bllokimet që kanë ndikim në ekonomi – diçka që Lopez Obrador e ka përmendur si të rëndësishme në një vend ku më shumë se gjysma e popullsisë punon në ekonominë informale.

Sidoqoftë, diku tjetër, strategjia duket se ka dështuar. Vendi ka regjistruar më shumë se 360 mijë raste me coronavirus dhe më shumë se 41 mijë persona të vdekur. /Telegrafi/