Telegrafi

Mehmeti takohet me Lisa A.Johnson në Washington, flasin për luftën e përbashkët ndaj narkotikëve

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, si pjesë e takimeve të realizuara në Washington D.C, të SHBA-ve, ka takuar edhe Lisa A.Johnson, zëvendës ndihmës sekretare e byrosë ndërkombëtare të narkotikëve dhe çështjeve të zbatimit të ligjit (INL) pranë departamentit të shtetit.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se Mehmeti diskutoi tema që shërbejnë në interes të ndërsjellët si dhe çështje që ndikojnë në zhvillimin profesional të organizatës policore.

“Takimi u zhvillua në një frymë mjaft pozitive dhe u vlerësua i një rëndësie të veçantë, duke u karakterizuar avancimi dhe rritja e bashkëpunimit të ndërsjellët në fusha të ndryshme, e në veçanti në mbështetjen, përkrahjen dhe forcimin e shkëmbimit të informacioneve, ofrimit të trajnimeve dhe përvojave më të mira në luftimin e kriminalitetit në përgjithësi e në veçanti të luftës së përbashkët ndaj narkotikëve”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, do të vazhdojë synimin e saj në forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare me agjenci të ndryshme e në veçanti me INL-në, ndaj të cilës është falënderuese për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme. /Telegrafi/