Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti në një intervistë për Telegrafi.com ka thënë se janë bërë 67 mijë kërkesa për shtyrje të kësteve të kredive, për të gjithë ata që kanë pasur vështirësi financiare gjatë pandemisë së COVID-19.
Mehmeti tregon se, 87 për qind e kërkesave për shtyrje të kredive individuale janë miratuar.
“Banka Qendrore e Kosovës së bashku me organet relevante fillimisht ka bërë një lirim të stagnimit të kësteve të kredive që nga 16 marsi deri më 30 prill e pastaj është zgjatur në tre muaj, me qëllim të lehtësimit të barrës financiare për huamarrësit që po hasin vështirësi në realizimin e të hyrave. Pezullimi i këtyre kësteve, ka mbet të rishqyrtohet kohë pas kohe, ku deri më tani i kemi 67 mijë kërkesa për shtyrje të pagesës së kredisë”, tha Mehmeti.
Ai thotë se bankat komerciale i kanë aprovuar ato kërkesa që vërtet kanë pasur vështirësi në pagesa.
“Kërkesat që i kanë bërë bizneset, janë miratuar në masën 99 për qind, ndërkaq për persona fizikë kërkesat janë aprovuar 87 për qind. Një pjesë e shtyrjes së kësteve të kredive për persona fizik nuk është shtyrë, kjo është më të drejt nga bankat komerciale, pasi që ne kemi që të qartë në pikat e vendimit se duhet të ketë shtyrje të kredive vetëm për personat fizik dhe juridik të cilat i ka prekur kriza e pandemisë së COVID-19”, thotë ai.
Gjithashtu, Mehmeti në këtë intervistë ka folur për rënien e remitencave, për qasjen e BQK-së karshi ekonomisë pas pandemisë së COVID-19, kontributin e saj dhe bankave komerciale karshi kësaj pandemie. /Telegrafi/