Site icon Telegrafi

Mehmeti: Hetuesit e Task-forcës Antikorrupsion nuk janë prekur, vazhdojnë punën e njëjtë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, ka thënë se hetuesit e policisë që ishin pjesë e  Task-forcës Anti-korrupsion, të shuar nga Qeveria e kaluar, janë angazhuar në Njësinë për Hetimin e Rasteve të Veçanta në kuadër të Departamentit të Hetimeve.

Ai ka thënë se të gjitha lëndët që ishin në duart e hetuesve të Task-forcës po hetohen nga të njëjtit hetues në strukturën e re  të Policisë derisa lëndët e tyre do të trajtohen pastaj nga prokurorët e Prokurorisë Speciale.

“As nuk ka pasë ndarje të lëndëve diku tjetër. E vazhdojnë punën e tyre, i vazhdojnë lëndët e tyre”, ka thënë Mehmeti në intervistën dhënë emisionit “Betimi për Drejtësi.

Mirëpo, shtesat që hetuesit kanë marrë si pjesë e Task-forcës u janë ndaluar.

“Kur është hequr vendimi është hequr edhe shtesa”, ka thënë Mehmeti.

Shefi i Policisë ka thënë se pas shuarjes së Task-forcës ka nisur procesi i trajtimit të lëndëve në mënyrë ligjore dhe në afate ligjore.

Veç kësaj, Mehmeti ka thënë se pas shuarjes së Task-forcës i gjithë foksi ka qenë që të krijohet siguri juridike për hetuesit pasi vendimi i Qeverisë kishte konstatuar se një mekanizëm i tillë ishte i paligjshëm.

“Elementi i tretë ka qenë që kjo njësi të vendoset diku brenda strukturës së Policisë dhe të jetë në aspektin ligjor e rregulluar. Kjo edhe ka ndodhur. Njësia për Hetimin e Rasteve të Veçanta është në kuadër të Departamentit të Hetimeve. Është rregulluar me marrëveshje që ka qenë me Prokurorinë Speciale që lëndët që këta hetues i kanë të trajtohen nga prokurorët specialë”, ka thënë ai.

Përpos lëndëve që janë trashëguar, Mehmeti ka thënë se hetuesit e njëjtë po marrin edhe raste të reja.

Mehmeti nuk ka dhënë përgjigje se sa hetuesit ka Njësia e Veçantë por vetëm ka thënë se ka personel të mjaftueshëm për hetimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

“Janë të njëjtit”, ka shtuar ai.

Task-forca kundër korrupsion ishte themeluar në shkurt të 2010-ës dhe ishte shuar në tetor të 2020-ës. Në vendimin e themelimit ishte paraparë të ishin 30 hetues dhe pesë ekspertë, për të cilët do të ndaheshin edhe shtesa.
Dy raporte ishin hartuar për Task-forcën – njëra nge BE e tjetra nga SHBA-ja – ku kishin rekomanduar fuqizimin e këtij mekanizmi brenda Policisë së Kosovës.  Edhe EULEX-i kishte rekomanduar ngritjen e kapacitetet e Task-forcës për të pasur edhe më shumë rezultate në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. IKD kishte kundërshtuar shuarjen e Task-forcës pa u bërë një analizë dhe ka koordinim me ndërkombëtarët që kanë investuar në ngritjen e kapaciteteve të këtij mekanizmi për të zbardhur krimin dhe korrupsionin. Kjo Tas-forcë kishte hetuar profilin e lartë të krimit dhe korrupsionit në Kosovë derisa cak kishin qenë figura të lartë të partive kryesore politikë në Kosovë.

Megjithëkëtë, udhëheqësi i Policisë thotë se objektivi i parë dhe themelor mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

“Një prej objektivave kryesor të Policisë së Kosovës  mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Objektiv themelor i joni është me pasë shumë më shumë efikasitet në këtë luftë”, ka thënë Mehmeti.

Exit mobile version