Nga: Salajdin Salihu
Mehmedi, djali i Hasanit nga Përshefca e kadillëkut të Kalkandeles (Tetovës), në vitin 1585 ishte evidentues kalhani* për të hyrat nga miniera e Trepçës dhe paguhej me mëditje prej 10 akçesh.
Kështu thuhet në dokumentin e administratorit të nezaretit të Shkupit, dërguar Portës së Lartë.
Në dokumentin që flet për mbledhjen gjashtëvjeçare të tatimeve nga minierat e Trepçës, jepen të dhëna për procedurën e mbledhjes së tatimeve, për kompetencat e kadive lokalë dhe të administratorëve të nezaretit të Shkupit**.
Në shekullin XVI gjejmë pak të dhëna për shfrytëzimin e minierave të Trepçës nga Perandoria Osmane.
E dhëna e vitit 1585 është botuar në një punim të R. Murphyt, i cili flet për prodhimin e argjendit në Rumeli, rreth vitit 1600 (Shih: R. Murphy, “Silver Production in Rumelia According to an official Ottoman Report Circa 1600”, Südost – Forschungen, XXXIX, 1980).
Dokumenti konsiderohet i rëndësishëm, sepse rrëzon stereotipat për rënien e xehetarisë në periudhën e Perandorisë Osmane (Shih: Srxhan Katiq, “Закуп рудника и хасова Трепче”, 1585, Miscellanea, XXXI, Beograd, 2010, f. 110).
Në shekullin XVI në Trepçë si tatime mblidheshin 6144 kg argjend të pastër.
Trepça (Tirebçe, Tirepça) është ndër minierat e para që ra në duart e Perandorisë Osmane dhe vlerësohej si ndër më të rëndësishmet.
Trepça shënohej si emanet dhe mukat, kurse në vitin 1585 administrohej nga Kara Abdulhalimi. (Shih: Nenad Filipoviq, “Rudnici i kovnice novca krajem XIV i u prvoj polovini XVII veka”, Balcanica, XX, 1989, f.251-252)