Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është takuar me Rifat Jasharin, vëllain e komandantëve legjendarë të UÇK-së, Adem e Hamëz Jashari.
Mehaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se gjatë rrugëtimit të tyre për zhvillimin e ushtrisë nuk kishin se si të mungonin këshillat e bacës Rifat.
Sipas tij, baci Rifat është heroi i gjallë i cili vazhdimisht përkujdeset që me mesazhet e tij të unifikoj të gjithë.
“Gjatë rrugës tonë për zhvillimin e ushtrisë nuk kishin se si të mungonin këshillat e bacës Rifat Jashari. Ai është heroi i gjallë mes nesh, i cili vazhdimisht përkujdeset që me mesazhet e tij të unifikoj të gjithë. Në rrugën që kemi përpara, vetëm bashkë mund të ecim”, tha Mehaj.
Ministri i Mbrojtjes tha se baca Rifat i ka dhënë shumë kombit dhe asnjëherë nuk ka marrë asgjë.
“Ai është trashëgimia më e rëndësishme e qëndresës tonë heroike. Zhvillimin e ushtrisë tonë, do ta bëjmë gjithmonë duke kujtuar rrugën, sakrificën dhe mundin e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve tanë të lirisë”, ka shkruar ndër të tjera Mehaj. /Telegrafi/