Telegrafi

​Mehaj takon ambasadorin Sakar: Premtoi se Turqia do të vazhdojë të na mbështesë në të gjitha fushat

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka takuar këtë të martë ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Me këtë rast, Mehaj tha se me ambasadorin Sakar kanë biseduar lidhur me situatën aktuale të sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë, krahas njoftimit me proceset zhvillimore aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK.

“Atë, gjithashtu e falënderova dhe i shpreha mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për Republikën e Turqisë, për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së”, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa, ambasadori Sakar thuhet se ka premtuar që Turqia, “si një vend mik dhe aleat i fuqishëm i Kosovës, sikur deri më tani, do të vazhdojë të na mbështesë në të gjitha fushat dhe komponentët në mënyrë që t’i përmbushim me sukses të plotë synimet tona”.

“Në fund, u dakorduam që bashkëpunimi  në nivel të ministrive të mbrojtjes dhe forcave të dy vendeve të fuqizohet edhe më tej në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë”. /Telegrafi/