Telegrafi

Mehaj prezanton automjetet e blinduara të Ushtrisë së Kosovës, me karakteristika të larta teknike e taktike

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka prezantuar automjetet e blinduara taktike, të cilat së shpejti do të jenë në shërbim të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se, “së shpejti këto automjete të blinduara taktike, të kompletuara me platformën e integruar të armatimit dhe pajisjet e nevojshme për përmbushjen e misionit, do të jenë sistem shumë i rëndësishëm i kapaciteteve tona ushtarake”.

“Një ndër objektivat e mi operacional afatshkurtër është forcimi i kapaciteteve ushtarake për realizimin e operacioneve mbrojtëse dhe  operacioneve ndërkombëtare paqeruajtëse dhe stabilitetit”, shkruan Mehaj.

Tutje, ministri i Mbrojtjes theksoi se “Karakteristikat e larta teknike dhe taktike dhe lëvizshmëria e jashtëzakonshme e tyre, siguron mbrojtje shumë të lartë balistike, ndaj minave si dhe rritje të kapacitetit të ngarkesës dhe vëllim të brendshëm”.

“Bazuar në doktrinën tonë të operacioneve këto automjete sigurojnë performancë të jashtëzakonshme në gamë të gjerë të terreneve sfiduese dhe kushteve klimatike”, shkruan Mehaj.

Ministri Mehaj, përveç që ka prezantuar automjetet e blinduara taktike, të cilat së shpejti do të jenë në shërbim të Forcave të Sigurisë së Kosovës, nuk ka treguar nëse bëhet fjalë për autoblindat e porositura në Turqi, me mortajë Vuran 4×4 e prodhuar me bashkëpunimin e kompanive të industrisë turke të mbrojtjes.

Lexo po ashtu Kosova blen automjete të blinduara 'Vuran' nga Turqia

Vuran 4×4 është prodhuar nga BMC një prej prodhuesve të Turqisë për mjetet tokësore të blinduara. Automjeti i blinduar i cili mund të përdoret me shumë qëllime, prej një kohe ndodhet në inventarin e forcave turke të sigurisë./Telegrafi/