Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka thënë se miratimi i Ligjit për paga është veprim konkret me impakt të lartë në ngritjen e mirëqenies socio-ekonomike për ushtarakët tanë dhe familjet e tyre.
Ai përmes një shënimi në Facebook ka thënë se me miratimin e Ligjit për Paga në sektorin publik në Kuvendin e Kosovës po kurorëzohet objektivi dhe zotimi i Qeverisë për rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të ushtarakëve tanë krahas të gjithë zyrtarëve tjerë publik që marrin paga nga buxheti i Republikës së Kosovës.
“Përmes këtij Ligji nuk ekziston më dallimi i jashtëzakonshëm ndërmjet pagës më të lartë dhe asaj më të ulët, ngase nga 20 herë sa ishte dallimi deri tash është nivelizuar në vetëm 4.78 herë”.
“Me Ligjin e Pagave të votuar sot nga Kuvendi i Republikë dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është Presidentja, Komandantja supreme, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë, e dallimi në mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj ka thënë se krahas rritjes së pagave, do të vazhdohet me projektet për përmirësimin e kushteve të shërbimit, ushqimit, transportit, veshmbathjes, pajisjeve personale, hapësirave moderne për mësim, trajnim, stërvitje, akomodim , hapësirave sportive-rekreative për të gjithë ushtarakët tanë, sipas standardeve më bashkëkohore./Telegrafi/