Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, të shtunën ka kujtuar demonstratat e 81-ës në 42-vjetorin e tyre duke thënë se mbi këto ideale, Ushtria e Kosovës, zhvillohet dhe forcohet çdo ditë.
Mehaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se 42 vjet më parë, në Prishtinë filloi pranvera e madhe kombëtare me demonstratat e studentëve, që shënuan kthesën vendimtare me kërkesën ‘Kosova Republikë’.
Sipas tij, demonstratat shënuan fillimin e fundit të Jugosllavisë komuniste dhe shkëndijat e para të demokracisë.
“Ishin studentët, punëtorët dhe gjithë populli liridashës të prirë nga vizioni dhe ideali për vetëvendosje i simbolit të bashkimit dhe qëndresës kombëtare, Bacë Adem Demaçit, që filluan rezistencën e cila kulmoi me luftën e armatosur të UÇK-së, udhëhequr nga Kryekomandanti Legjendar Adem Jashari.
Gjithashtu, këto demonstrata shënuan fillimin e fundit të Jugosllavisë Komuniste dhe shkëndijat e para të demokracisë në sferën e vendeve të bllokut komunist në Evropë”, ka shkruar Mehaj.
Ai po ashtu tha se mbi këto ideale, Ushtria e Kosovës, zhvillohet dhe forcohet çdo ditë për të mbrojtur vlerat e sakrificës, mundit, djersës e gjakut të gjithë brezave.
“Lavdi dhe mirënjohje e përjetshme për heronjët e rënë e të mbijetuar të Pranverës historike të vitit 1981”, ka shkruar ndër të tjera ministri Mehaj në Facebook. /Telegrafi/