Site icon Telegrafi

Mehaj: Ka tendenca që të pengohet projekti i Fondit të Sigurisë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka falënderuar të gjithë ata që po dhurojnë donacione për FSK-në në kuadër të Fondit të Sigurisë.

“Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK-së, ju shpreh mirënjohjen më të lartë për përgjigjen e jashtëzakonshme e të pritur, e cila po vazhdon pandërprerë, me donacionet tuaja për Fondin e Sigurisë”, ka shkruar Mehaj.

Mehaj ka thënë se ka tendenca që ky projekt të pengohet, derisa u ka rikujtuar të gjithëve që procesi i deponimit të parave të tyre në Fondin e Sigurisë është i sigurt dhe mbikëqyret nga Qeveria përmes Ministrisë së Financave.

“Prandaj, ju ftoj që të vazhdojmë së bashku me kontributet tona në Fondin e Sigurisë, për Ushtrinë tonë dhe të gjitha institucionet tona të sigurisë së vendit”, ka shkruar Mehaj.

Postimi i plotë:

Qytetarë të dashur,

Bashkëkombës nga mërgata kudo që jeni,

Miq ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës,

Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK-së, ju shpreh mirënjohjen më të lartë për përgjigjen e jashtëzakonshme e të pritur, e cila po vazhdon pandëprerë, me donacionet tuaja për Fondin e Sigurisë.

Jemi të vetëdijshëm se ky projekt i yni i përbashkët me ju, ka tendenca të pengohet për çka jemi të detyruar të ju rikujtojmë:

Ju e dëshmuat dhe po e dëshmoni si gjithmonë se jeni mbështetja kryesore e jona.

Ju ishit gjithmonë dhe jeni edhe tani logjistika kryesore jo vetëm e Ushtrisë, por edhe e sigurisë, mbrojtjes, zhvillimit dhe forcimit të shtetit tonë.

Prandaj, ju ftoj që të vazhdojmë së bashku me kontributet tona në Fondin e Sigurisë, për Ushtrinë tonë dhe të gjitha institucionet tona të sigurisë së vendit.

Donacionet  tuaj janë motivi dhe forca jonë e përbashkët.

Ju faleminderit! /Telegrafi/

Exit mobile version