Telegrafi

Mehaj: E vetmja zgjidhje është të imponohen sanksionet për armatim ndaj Serbisë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duke komentuar situatën e fundit në veri të Kosovës ka thënë se e vetmja zgjidhje është që të imponohen  sanksionet për armatim ndaj Serbisë.

Ai tutje ka shtuar se duhet të përshpejtohen procedurat për Partneritetin për Paqe për Kosovën drejt anëtarësimit në NATO si dhe të themelohet një bazë ushtarake e përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, sikurse në Poloni apo Gjermani.

Dhe sipas tij, duhet të përshpejtohet edhe procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Sikur të kishte vepruar Kosova, me një akt të tillë shtetëror – terrorist sikurse Serbia, do të kishte pasur pasoja me dekada ndaj Kosovës. Rrjedhimisht është e domosdoshme për popullin e Kosovës me pa veprime të qarta të partnerëve që ndajnë të njëjtat vlera demokratike me Kosovën dhe popullin e saj. Ne jemi dhe do të mbesim më proamerikanët në Evropë, madje duke konkurruar që të jemi si shtet si Kosovë edhe më proamerikan se sa Texasi”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

 

Më 24 shtator, Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit. Si pasojë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi. I njëjti lidhur me rastin është arrestuar e më pas liruar nga autoritetet serbe. /Telegrafi/