Site icon Telegrafi

Meghan Markle bëri 13 udhëtime në tërë botën, ani pse akuzoi mbretërinë se ia kishin konfiskuar pasaportën, letërnjoftimin dhe patent-shoferin

Meghan Markle bëri të paktën 13 udhëtime jashtë vendit pasi u bë publike marrëdhënia e saj me Princin Harry – pavarësisht pretendimit se pasaporta e saj u konfiskua kur ajo ‘u bashkua me familjen mbretërore’.

Dukesha e Sussex-it i tha gazetares Oprah Winfrey se ajo ‘dorëzoi’ pasaportën e saj së bashku me lejen e saj të vozitjes dhe çelësat kur u mirëprit në familjen mbretërore, në vitin 2016, shkruan DailyMail.

Në intervistën e saj bombë me drejtuesen e emisionit të bisedave amerikane – ajo gjithashtu pretendoi se ishte diskriminuar nga Pallati Mbretëror.

Ajo shtoi: “Kur u bashkova me atë familje, ajo ishte hera e fundit që pashë pasaportën time, patent-shoferin, çelësat e mi – të gjitha ato kthehen përmbys”.

Meghan, 39 vjeçe, sugjeroi që ajo nuk e pa pasaportën e saj përsëri derisa ajo dhe Harry u larguan nga mbretëria dhe u transferuan në Kaliforni.

Sidoqoftë, ka rezultuar që Dukesha vizitoi 13 vende si turiste nga kur ajo filloi të dilte me Princin Harry deri në shtator të vitit 2019 – kur çifti u nis për në Itali për dasmën e stilistit Misha Nonoo.

Meghan dhe Harry njoftuan se po hiqnin dorë nga roli i tyre si mbretërorë të vijës së parë të fronit në janarin vijues.

Burimet kanë pohuar se Meghan duhet të ketë paraqitur pasaportën e saj zyrtarëve në 12 vendet që ajo vizitoi gjatë kësaj periudhe, raportoi The Sun.
Megjithëse Mbretëresha nuk kërkon një pasaportë për të udhëtuar, të gjithë anëtarët e tjerë të Familjes Mbretërore kërkohet të mbajnë një kur shkojnë jashtë vendit.

Të brendshmit sugjeruan që pasaporta e Dukeshës mund të ishte marrë për ruajtje, por pretenduan se ajo ende do ta kishte përdorur atë për udhëtimet e saj jashtë vendit.

Autorja Margaret Holder shtoi: “Sigurisht që Familja Mbretërore do të donte të mbante të sigurt pasaportën e Meghanit”.

“Por është e paimagjinueshme që ajo nuk e mbajti atë për udhëtime personale dhe private të tilla si ‘babyshower’-i në New York, udhëtimi me disa miq në Kanada, si dhe një udhëtim tjetër në Amsterdam”.

Meghan dhe Harry bënë udhëtimin e tyre të parë së bashku vetëm gjashtë javor pasi filluan lidhjen e tyre në vitin 2016, kur Princi e mori gruan e tij tani në një kamp të xhunglës në Botsvana.

Ata më vonë u nisën për në Lake Como për të vizituar George Clooneyn dhe gruan e tij Amal në gusht të vitit 2018, para se të bënin udhëtime në Amsterdam, Francë dhe Toronto.

Në gusht të vitit 2019, çifti festoi ditëlindjen e 38-të të Meghanit në kompleksin ekskluziv të vilave Vista Alegre në Ibiza.

Meghan gjithashtu vizitoi New Yorkun në shkurt të vitit 2019 për një festë ‘babyshower’ si mirëseardhje për djalin e tyre, Archie.

U raportua dje se Mbretëresha do të angazhohet që të përmirësojë raportet me Harryn dhe Meghanin pas pasojave nga intervista e tyre televizive.

Ndërsa mbretërorët e vijës së parë ‘po ndjehen në siklet’ pas një sërë akuzash shpërthyese nga çifti, Mbretëresha ka lëshuar një ‘urdhër me tre rreshta’ për të parandaluar që personeli të diskutojë situatën publikisht.

Është e kuptueshme që ajo synon të qetësojë ujërat, duke tentuar të afrohet me nipin dhe gruan e tij që për momentin ndodhen në Kaliforni.

Pritet që ata do të flasin në telefon në ditët e ardhshme.

Megjithëse Harry dhe Meghan ishin informuar për deklaratën e Pallatit të Buckingham-it mbi këtë çështje përpara publikimit të saj të martën në mbrëmje, kjo u bë përmes zyrtarëve.

Por Mbretëresha beson se tani është koha për një qasje më personale. /Telegrafi/

Exit mobile version