Site icon Telegrafi

“Mediterranea” do të hap PriFest-in

“Mediterranea” e regjisorit italian Jonas Carpignano, do të bëjë hapjen e Prishtina International Film Festival, më 22 prill.

Për më shumë, atë natë në Prishtinë do të jetë prezent edhe njëri nga aktorët kryesorë, Alassane Sy.

“Mediterranea” është filmi i parë i metrazhit të gjatë për regjisorin Carpignano, film ky që ka marrë kritika pozitive.

“Nëse për çdo situatë të vështirë që lexojmë në media do të dilte papritur një film kaq përmbajtjesor dhe kuptimplotë siç është ‘Mediterranea’, ndoshta të gjitha problemet e botës do të mund të zgjidheshin”, ka shkruar për këtë film Jordan Hofmann, në gazetën e njohur “The Guardian”.

Fatos Berisha, drejtor artistik i Prishtina International Film Festival shprehet entuziast si për programin e filmave, ashtu edhe për filmin që do të hap festivalin.

“Jam shumë i lumtur që e morëm këtë film në festival dhe që publiku ynë do të ketë kënaqësinë ta shoh në natën e hapjes”, ka thënë ai.

Ato që do ta bëjnë edhe më të veçantë hapjen e festivalit, janë dy projeksionet e filmit, në të njëjtën kohë: një në hapësirën kryesore të festivalit dhe tjetra në skenën e ngritur në qiellin e hapur, tek sheshi “Zahir Pajaziti” (ku publiku do të ketë mundësinë ta shohë filmin gratis).

“Është film që ka një mesazh shumë të fuqishëm dhe që reflekton se çfarë po ndodh në botë sot. Publiku ynë e ndjen këtë temë, ndaj mendojmë se u duhet dhënë mundësia që në numër sa më të madh ta shohin në hapjen e festivalit PriFest, më 22 prill”, shtoi Berisha.

Prishtina International Film Festival do të ketë edicionin e VIII-të, nga 22-29 prilli 2016.

Në këtë LINK mund të gjeni më shumë analiza të kritikëve të filmit për “Mediterranea”.

Exit mobile version