Intervistë me filozofin kanadez Alain Deneault, autor i një nga librave më të shitur në botë, “Mediokracia: I vetmi ilaç është mendimi kritik”. Intervistën e përktheu: Elona Caslli.
Profesor, Deneault, a ju ka prekur ky sukses? Edhe pse shumë nga lexuesit tuaj ju i quani haptazi mediokër?
Nuk prisja një jehonë kaq të madhe, por ky libër flet për një sëmundje shoqërore që na prek të gjithëve. Me pak fjalë , jam përpjekur t’i shmang moralizmat dhe mos t’ia vë gishtin askujt. Qëllimi ishte të tregoja trysninë e fortë të shoqërisë që i nxit njerëzit të jenë “ dosido”.
Ju keni qenë tejet i ashpër me botën akademike dhe ju i përkisni kësaj bote. A u fye dikush?
Po, u fyen, meqënëse jam treguar bandit. Unë jap lëndë sezonale dhe prania ime është episodike. Mjediset universitare formojnë gjithnjë e më pak një shtresë elitare në gjendje të hedhë dritë mbi rrugën që duhet të ndjekë njeriu i zakonshëm. I ngjajnë më tepër oborreve të së shkuarës ku studimet shkencore u shiten financuesve. Shumë autokritikë, shumë punime kundërshtohen vetëm për t’i bërë qejfin pushtetit.
A keni patur kritika nga “jo mediokërit”?
Në epokën e mediokracisë nuk bëhen më debate… mendimet ndjekin disa korridore dhe zakonisht njerëzit pëlqejnë të dëgjojnë lajme shpresëdhënëse.
Pse duhet ta kemi frikë mediokracinë?
Sepse krijon vuajtje. Sepse i detyron njerëzit e administratës publike të sillen sikur janë brenda një organizatë private dhe ata bien në kundërshtim me vetveten, pasi më parë ekzistonte një etikë tjetër. Mediokracia i detyron inxhinierët të projektojnë objekte që duhet të prishen brenda një kohe të përcaktuar, në mënyrë që të zëvendësohen; i detyron mjekët të diagnostikojnë sëmundje që mund të përbëjnë rrezik për njeriun kur të mbushë moshën 130 vjeç. Mos të flasim pastaj për mashtrimin e marketingut kundrejt konsumatorëve.
A është mediokracia paradhoma e diktaturave të ëmbëlsuara?
Diktatura është psikotike, mediokracia është perverse. Diktatura është psikotike sepse ajo nuk ngre dyshime mbi çështjen e vendimmarrjes. Hitleri, Musolini, Tito kanë qenë personazhe tejet të prekshëm dhe tërheqës që i shtypnin njerëzit me fjalë; mediokracia është perverse, sepse përpiqet ta shkrijë autoritetin e saj në brendi të njerëzve dhe të bëjë që këta njerëz të besojnë se sillen dhe veprojnë sipas vullnetit të tyre.
A është anglishtja standarde gjuha zyrtare e mediokracisë?
Anglishtja e menaxherëve mund të quhet gjuha standarde dhe kjo gjuhë e vret anglishten. Është një vetëvrasje gjuhësore ta flasësh këtë gjuhë; nuk mund të mendosh për botën në tërësi apo për çdo lloj fenomeni shoqëror kur përdor një fjalor që është i dobishëm veçse për një organizatë private.
Teknologjia, rrjetet sociale, kolosët e rrjetit. A mbizotëron edhe atje mediokracia?
Duhet të krijojmë imunitet nga fjalori që përmban fjalë të tilla si: zhvillim, risi dhe shkëlqim. Sigurisht, që është mirë të përdoren këto mjete, por duhet analizuar fillimisht ndikimi që kanë mbi mendimin, moralin dhe politikën. Përdorimi i qëllimshëm i rrjeteve sociale gjatë një fushate zgjedhore mund t’i mashtrojë njerëzit pa shumë vështirësi.”
E kundërta e mediokrit a është mbinjeriu, heroi?
Jo. Ilaçi është mendimi kritik, sepse i heq maskën ideologjisë, e cila është çështje interesash nën hijen e shkencës . Mendimi kritik të bën që një nocion që duan të ta ngulisin në kokë, për shembull “ që armët duhen shitur doemos apo që një austradë duhet ndërtuar – ta trajtosh në mënyrë kritike dhe analitike.
A jeni optimist për të ardhmen?
Çdo forcë politike është mes dëshpërimit dhe shpresës. Dhe në gjendjet e dëshpëruara duhet medoemos kurajo. /Perqasje/