Tërmeti i fortë që goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit është pasqyruar gjerësisht dhe në mediet e huaja të cilat e kanë cilësuar si tërmetin më të fortë prej dekadave.
Tërmeti më i fortë prej dekadash trondit Shqipërinë, viktima, të plagosur, të zhdukur dhe dëme të shumta materiale dhe panik tek qytetarët.
Janë këto termat më të përdorura nga mediet e huaja të cilat i kanë dhënë jehonë të madhe tërmetit që goditi Shqipërinë.
Mediet italiane raportojnë se lëkundjet janë ndjerë dhe në territorin e Italisë, në Pulia dhe Bazilikatë ndërsa Reuters, Daily Mail, Asociated Press e shumë të tjera konfirmojnë viktimat dhe më shumë se 100 të plagosur.
Goditja më e fortë ishte me magnitudë 6.5, 34 kilometra në veri perëndim të Tiranës dhe u shënua në 03.54, me epiqendër në Durrës.
Në shumë zona është ndërprerë energjia elektrike, ndërsa forcat e ushtrisë kanë gërmuar në gërmadhat e ndërtesave të shembura me shpresën për të gjetur të mbijetuar.
Personat që kanë kërkuar ndihmë mjekësore kryesisht kishin fraktura dhe ndrydhje. /Abc News/