Një roje kufitare greke u qëllua në bark të shtunën teksa patrullonte një zonë të kufirit greko-turk ku migrantë pa dokumente kërkojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, tha policia greke.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, katër oficerë të rojeve kufitare greke ishin në detyrë përgjatë lumit Evros, kufiri tokësor me Turqinë, pak pas orës 18:00 të shtunën, kur u dëgjuan tre ose katër të shtëna nga pala turke, tha policia.
Si pasojë, siç raportojnë mediat, një plumb ka goditur në pjesën e poshtme të barkut një nga rojet kufitare.
I plagosuri u dërgua në një spital në qytetin e Didymoteicho, ku u operua, tha policia.
Policia shtoi se efektivi i plagosur është në gjendje stabile, jashtë rrezikut për jetën.
Mediat greke raportuan se zyrtarët e policisë besojnë se sulmuesi ose ata që kanë qëlluar kanë qenë ndoshta trafikantë njerëzish. /Telegrafi/