Britania e Madhe, e cila që nga nesër, 1 gusht, merr përsipër presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka për qëllim për të parandaluar që në gusht të mbahet një takim i rregullt për situatën në Kosovë, shkruajnë mediat serbe.
Sipas burimeve të “Novosti”, përcjell Telegrafi, tanimë është duke u debatuar për programin e Këshillit të Sigurimit për muajin e ardhshëm dhe Londra nuk e ka vendosur temën për Kosovën sepse ata besojnë se situata në Kosovë është e mirë dhe se nuk ka nevojë për diçka të tillë.
Ndërkohë, po sipas këtij mediumi, ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq thotë se kjo pritej dhe është e qartë se Britanisë së Madhe “nuk i intereson për qëndrimin serb”.
“Ky është një mesazh i qartë për ne”, citohet të ketë thënë Daçiq.
Burimet, siç shkruajnë mediat serbe, thonë se kjo gjë kundërshtohet fuqimisht nga Kina dhe Rusia dhe se rezultati i kësaj beteje diplomatike duhet të njihet deri në fund të kësaj jave.
Siç thuhet më tej, pa marrë parasysh këtë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteres me siguri përgatit një raport të rregullt mujor mbi Kosovën. /Telegrafi/