Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuale ka realizuar një hulumtim në lidhje me raportimin e mediave në Maqedoni. Rezultatet të cilat i prezantoi kjo Agjenci tregojnë se 62.71% e të anketuarve janë të mendimit se mediat shpesh raportojnë ndryshe njëra me tjetrën për ngjarje të njëjta, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Përqindja më e madhe e të anketuarve apo 62,71%, janë përgjigjur se shpesh kanalet televizive informojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të njëjta. Ndërsa 22,85% janë përgjigjur se ata informojnë vetëm ndonjëherë në mënyrë të ndryshme dhe vetëm 10, 97% janë përgjigjur se shumë rrallë kanalet televizive informojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të njëjta”, deklaroi hulumtuesja në terren, Nadezhda Pop Kostova.
Në këtë drejtim nuk qëndrojnë shumë më mirë as radio-stacionet, ku 41.96% e të anketuarve janë përgjigjur se shumica e tyre gjithashtu raportojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të njëjta.
Edhe tek web faqet e ndryshme kryeson mendimi i qytetarëve se ata raportojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të njëjta edhe atë rreth 37.75%.
Për dallim nga mediat elektronike, tek mediat e shkruara dominon perceptimi i qytetarëve se ata raportojnë ndonjëherë ndryshe për ngjarje të njëjta./Telegrafi/