Telegrafi

Mediat italiane shkruajnë se Georgina Rodriguez refuzon të paguhet për në “Sanremo” sa prezantueset tjera, kërkon mbi 100 mijë euro

Georgina Rodriguez dhe Cristiano Ronaldo (Foto: Kate Green/Getty Images/Guliver)

“Soldi” titullohej kënga përfaqësuese e Italisë vitin e kaluar në “Eurovision”, e cila u rendit e dyta në natën finale.

Përkthyer në shqip, fjala “Soldi” do të thotë “para” dhe për fat të keq paratë po dalin të jenë problemi që do ta zbusë shkëlqimin e ngjarjes, e cila përcakton këngën e radhës përfaqësuese të Italisë në “Eurovision”.

Partnerja e futbollistit Cristiano Ronaldo, Georgina Rodriguez, është bërë një nga gratë më të kërkuara në Itali, jo vetëm për faktin se është pronare e zemrës së futbollistit të mirënjohur, por edhe për bukurinë e saj të shkëlqyeshme.

Kohët e fundit, ajo ishte konfirmuar si një nga prezantueset e festivalit më të madh në Itali, njëherësh më të vjetrit në Evropë, “Sanremo”, që do të mbahet në shkurt në qytetin me po të njëjtin emër.

Sidoqoftë, lajmet e reja që qarkullojnë në gazetat italiane, tregojnë se Georgina ka hedhur poshtë angazhimin, me sa duket për mos pajtimin me pagesën e ofruar për këtë punë.

Georgina Rodriguez (Foto: Jacopo Raule/Getty Images/Guliver)

Për më tepër, ditë më parë është tërhequr nga prezantimi edhe artistja e famshme botërore, Monica Bellucci.

Por burime të tjera pohojnë se partnerja e yllit portugez kishte probleme të caktuara me ata që janë përgjegjës për organizimin e ngjarjes, kështu që ka qenë e pamundur të arrihet një marrëveshje.

Me sa duket, Georgina refuzoi kushtet e propozuara, duke kërkuar një shumë prej më shumë se mbi 100,000 euro, për të prezantuar ngjarjen e rëndësishme muzikore, ndërkohë thuhet se organizatorët nuk kanë propozuar ta paguajnë atë më shumë se sa të gjitha femrat tjera që prezantojnë.

Georgina Rodriguez (Foto: Carlos Alvarez/Getty Images/Guliver)

Edhe pse për momentin nuk ka ndonjë pozicion përfundimtar nga të dyja palët, ekziston mundësia që organizatorët të pranojnë të përmbushin kërkesat e gruas së Cristianos për të qenë në gjendje të llogarisin pjesëmarrjen e saj në këtë event.

Kujtojmë që për herë të parë në historinë e këtij festivali me shumë traditë do të ketë një prezantuese shqiptare, dhe ajo është Alketa Vejsiu. /Telegrafi/