Telegrafi

Medhi Benatia pensionohet nga futbolli në moshën 34 vjeçare

(Foto: Football Italia)

Ish-futbollisti i Marseille, Romës, Bayern Munichut dhe Juventusit, Medhi Benatia, është pensionuar nga futbolli në moshën 34 vjeçare.

Ish-përfaqësuesi maroken ka vendosur t’i japë fund karrierës pas qëndrimit te Karagumruk në Turqi dhe largohet nga futbolli pas një karriere të gjatë në nivelet më të larta.

Ai e nisi karrierën profesionale e Marseille, ndërsa në vitin 2010 u transferua në Itali te Udinese për të vazhduar te Roma dhe pastaj falë paraqitjeve me Giallorossët u transferua te Bayern Munichu në vitin 2014, ku fitoi dy tituj të Bundesligas dhe një kupë DFB Pokal.

Në vitin 2017, Benatia u rikthye në Serie A te Juventusi dhe me Zonjën e Vjetër fitoi tre Scudetto, dy Kupa të Italisë dhe një Superkupë të Italisë.

“Nga mosha e re kam pasur vetëm një ëndërr. Të bëhesha futbollist profesionist… Faleminderit Zotit që e pata mundësinë të bëhesha futbollist profesionist…”.

“Pas më shumë se 15 vitesh të shërbimit të mirë dhe besnik për futbollin, duke luajtur në garat më prestigjioze, vendosa ta mbyll karrierën!”, ka shkruar Benatia në njoftimin e tij në rrjetet sociale. /Telegrafi/