Site icon Telegrafi

​Me shpejtësi të frikshme 225 km/h drejt Vlorës, dy kosovarët nuk ndalojnë në radarin e policisë në Fier

Me shpejtësi të frikshme 225 km/h drejt Vlorës, dy kosovarët nuk ndalojnë në radarin e policisë në Fier.

Policia shqiptare po bën thirrje që të bëhet kujdes në komunikacion.

Policia njofton se dy makina luksoze, një Lamborghini dhe një BMW, janë konstatuar nga policia duke bërë gara në autostradën Fier-Vlorë, duke arritur shpejtësi tepër të larta, deri në 225 km/h.

“Kujdes! Mos fluturoni të arrini aksidentin, e në rastin më të mirë Radarin e Policin Rrugor. Me shpejtësi të frikshme 225 km/h drejt Vlorës, dy kosovarët nuk ndalojnë radarit në Fier por bllokohen nga Policia në hyrje të Vlorës. 225 km/h, pavarësisht makinave luksoze, kjo është papërgjegjshmëri ndaj jetës, shpejtësi të tilla janë vrastare, rrezikojnë seriozisht jetën tuaj e të përdoruesve të tjerë të rrugës. Në Bypass-in e Fierit, në aksin Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Pojan”, janë konstatuar nga radari automjetet me targa zviceriane tip “Lamborghini” dhe “BMW” duke bërë gara me shpejtësi 225 km/h”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Automjeteve u është bërë shenjë nga punonjësit e Policisë për të ndaluar por drejtuesit e tyre kanë vijuar me shpejtësi drejt Vlorës. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e Policisë Rrugore të Vlorës si dhe forcat e posaçme “Shqiponja” dhe në hyrje të qytetit të Vlorës janë ndaluar të dy automjetet.

Të dy drejtuesit e automjeteve janë ndëshkuar me masë administrative, konkretisht: drejtuesi i mjetit tip “Lamborghini”, shtetasi I. B., 40 vjeç, banues në Zvicër, është ndëshkuar me masë administrative 168.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”, “Qarkullon pa targë”, “Nuk ndalon pas dhënies së shenjës së ndalimit me tabelë” dhe drejtuesi i mjetit tip “BMW” shtetasi M. N., 36 vjeç, banues në Kosovë, është ndëshkuar me masë administrative 120.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”.

Exit mobile version