Telegrafi

Me librezë kundër punës në të zezë

Puna “në të zezë“ që po bëhet dukuri më e shpeshtë. është duke i shkaktuar telashe të mëdha autoriteteve kompetente të shtetit në Zvicër. Si e tillë, asaj i është shpallur luftë dhe kjo temë është aktuale në medie.

Një zgjidhje interesante në drejtim të luftimit të punës informale (në të zezë) e ka ofruar Federata e Ndërtimtarëve të Kantonit Vaud. Ajo ka vendosur që të gjithë punëtorët e ndërtimit t`i pajisë me nga një librezë ose leje identifikimi. Në atë librezë mund të shihet shumë shpejtë nëse punëtori i caktuar e ka sigurimin social ose jo.

Siç e thotë federata e përmendur, një librezë e tillë do t`u hyjë në punë autoriteteve që bëjnë kontrollimin e nëpër kantiere por edhe arkitektëve dhe punëdhënësve në ndërtimtari. Ky model pritet të përhapet në Zvicrën frankofone dhe të dëshmohet në praktikë.

Libreza është e pajisur me një fotografi të punëtorit dhe me një kod. Përmes skanerit mund të vërtetohet nëse punëtori i caktuar është i paraqitur sipas rregullave dhe nëse punëdhënësi i tij është duke i paguar kontributet sociale. /albinfo/