Telegrafi

Më 15 qershor qumështarët bllokojnë rrugët me makina e lopë

Qumështarët u kanë dërguar një letër drejtuesve kryesor të shtetit ku kanë kërkuar ndaljen e importit të paligjshëm të produkteve me yndyrë bimore. Sipas tyre vazhdimi i importeve të produkteve të tilla po e vështirëson funksionimin e këtij sektori në Kosovës. Për t’i realizuar kërkesat e tyre më 15 qershor do ti bllokojnë rrugët me makineri e bagëti.

Në letrën e kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Naser Bajraktari, drejtuar kryeministrit Isa Mustafa, Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrmai, Ministrit të Financave Avdullah Hoti, kryetarit të Komisionit Parlamentar për Bujqësi Salih Salihu, theksohet se pas shumë diskutimeve kanë ardhur deri të mos grumbullimi i qumështit në vend.

Sipas e kësaj letre, shumë fermerë nuk mund të shesin qumështin të cilin e prodhojnë, shumë pika grumbulluese rrezikojnë edhe të mbyllën.

“Arsyet e këtij mosgrumbullimi tashme dihen. Produktet e paligjshme me yndyrë bimore dhe kushedi se çfarë tjetër rrezikojnë gjithçka në Kosovë, e sidomos konsumatorin, shtetin dhe konkurrencën e drejtë dhe të barabartë. Janë shokuse informacionet se edhe institucionet e shtetit tonë janë duke i blere këto produkte për djathë, ndërkohë qe kanë të kontraktuar diçka tjetër. Importet e jashtëligjshme, konkurrenca e padrejte dhe mungesa e masave mbrojtëse janë duke e shkatërruar komplet sektorin me te madh ne Kosove dhe sektorin me te arriturat me te prekshme nga te gjithë sektorët tjerë”, theksohet në letërn e qumështarëve, raporton Telegrafi.

Kryetari i kësaj shoqate Naser Bajraktari, thekson se të arriturat në këtë sektor fermerët i kanë arritur me shumë mund e sakrificë.

“Ne fermerët nuk mund të tolerojmë aq lehte shkatërrimin që na vjen nga jashtë pa asnjë të drejte, prandaj ne ju informojmë se : Nga data 15.06.2015 në shenjë proteste do t’i bllokojmë të gjitha rrugët kryesore të Shtetit të cilat kanë lidhje me pikat doganore. Me këtë rast do t’i nxjerrim në rrugë të gjitha makineritë bujqësore bashkë me bagëtitë tona”, tha ai.

Kërkesave e qumështarëve janë:

-Të ndalohen menjëherë produktet me përzierje të yndyrave bimore dhe përzierje të tjera e që shiten si produkte qumështi ngado që vijnë ato.

-Të ndalohet menjëherë mashtrimi i konsumatorëve dhe i institucioneve që blejnë vaj palme, miell soje, amidon e kushedi se çfarë për djathë duke i tërhequr urgjentisht nga tregu.

-Të aplikohen taksa për produktet e Qumështit qe vijnë nga jashtë.

-Të plotësohen të gjitha kërkesat e drejta të Përpunuesve të Qumështit si mundësi e vetme për tejkalimin e këtyre problemeve. /Telegrafi/