Conor McGregor ka qenë kryetemë e mediave në ditët e fundit, pas sulmit që i bëri autobusit që bartte yjet e MMA para evenimentit ‘UFC 223’ në Barclays Center në Brooklyn të New Yorkut.
Sjelljet e ti të dhunshme shkaktuan lëndimin e dy luftëtarëve të UFC-së, ndërsa 29-vjeçari u arrestua nën akuzat për sulm dhe sjellje kriminale.
Irlandezi i famshëm më pas u lirua me kaucion në vlerë prej 50.000 dollarësh, ndërsa do të rishfaqet në gjykatë më 14 qershor.
Që nga ajo ngjarje, McGregor ka qëndruar i tërhequr nga syri publik, ndërsa komunikimi i vetëm ka qenë përmes rrjeteve sociale.
Ai ka publikuar në Instagram fotografi të familjes së tij që i ka shoqëruar edhe me mesazhe.
“Kam punën më të mirë në botë që është kujdesi për familjen time. Nëse të gjithë kujdesemi për tonat, atëherë jemi kujdesur për veten”, ka shkruar Conor në përshkrimin e një fotografie, në të cilën ka pozuar së bashku me të dashurën dhe djalin e tij.
McGregor është në lidhje me Dee Devlin që nga viti 2008, ndërsa djali i tyre Conor Jack McGregor Jr. ka lindur më 5 maj 2017.
Ylli i UFC-së e ka publikuar edhe një imazh të vetin që e ka shoqëruar me mesazhin: “Është vetëm një mësim nëse arrin të mësosh. Unë mësoj çdo ditë”. /Telegrafi/