Telegrafi

McGregor pezullohet për një muaj nga UFC-ja në baza mjekësore

Conor McGregor (Photo by Harry How/Getty Images)

Conor McGregor është pezulluar për një muaj në baza mjekësore nga UFC-ja pas humbjes nga Khabib Nurmagomedov në UFC 229.

Irlandezi u dorëzua në raundin e katërt pas kapjes për fyti nga kampioni në kategorinë e peshave të lehta, në duelin e të shtunës.

Në një njoftim zyrtar në listën e suspendimeve mjekësore të UFC-së shkruan: ” Conor McGregor: i suspenduar deri më 06.11.2018, asnjë kontakt deri më 28.10. 2018″.

Lexo po ashtu Lajmet për Conor McGregor

McGregor mori disa goditje ndëshkuese në raundin e dytë, pasi ylli nga Dagestani u tregua më i fuqishëm. Më pas, Khabib e goditi edhe gjatë kohës sa Conor ishte në tokë dhe më pas me kapjen finale e fitoi duelin.

Khabib Nurmagomedov dhe Conor McGregor (Photo by Harry How/Getty Images)

Në këtë mënyrë, për shkak të goditjeve të pranuara, irlandezi nuk ka të drejtë as të stërvitet deri më 28 tetor.

Është praktikë e zakonshme në UFC që të jepen pezullime mjekësore, ndërsa edhe ashtu McGregor nuk ka pasur në plan kurrfarë meçi në ditët në vijim.

Dëmtimi për 30-vjeçarin nuk ka qenë vetëm fizik, pasi që ai mund të dënohet akoma më rëndë nga UFC dhe Komiteti Atletik i Shtetit të Nevadas për rolin e tij në incidentet që eskaluan pas duelit. /Telegrafi/