Kampioni i UFC-së për pesha të lehta, Khabib Nurmagomedov, është një kundërshtar i frikshëm për shumë arsye.
Ka një rekord fantastik prej 26 fitoresh dhe asnjë humbje, i përsosur në oktagon, por edhe se në rininë e tij kishte guximin të përleshej me një ari.
Kjo e fundit nuk është histori e fabrikuar në botën e madhe të internetit, por diçka e vërtetë dhe ka një video që e vërteton. Por, kjo gjë nuk e shqetëson aspak kundërshtarin e tij të ardhshëm, Conor McGregor.
Irlandezi në emisionin e Conan O’Brien u pyet për këtë gjë dhe përgjigjja e tij ishte thjesht fantastike:
“Ai (Khabib) mund të jetë përleshur me arinj nga Dagestani, por kurrë nuk është përleshur me një gorillë irlandeze”.
“Besoj se ai ka shumë dobësi në paraqitjen e tij. Regjioni i Dagestanit është i specializuar në mundje. Ai u përlesh me arinj kur ishte fëmijë, është pjesë e kulturës së tyre. E kuptoj se ai është i shkathtë në mundje. Por, në një luftë ka më shumë se një disiplinë”.
“Fatmirësisht tani nuk ka rregulla specifike si nga ndeshja ime e fundit (ajo me Floyd Mayweather), jam i lirë dhe tani kam shumë armë për të çmontuar gjitha stilet e kundërshtarit”.
“Besoj se ai është i ngadalshëm, goditja e tij është mesatare, dhe do të mundohem t’i vë këto në dukje”, shtoi për fund Conori. /Telegrafi/