Infermierja Lucy Letby është shpallur fajtore për vrasjen e shtatë foshnjave në spitalin Countess of Chester në Britani.
Vendimi i sotëm i gjykatës e bën atë vrasësen më të madhe të foshnjave në historinë moderne të Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Telegrafi.
Letby vrau foshnjat duke i injektuar me ajër midis qershorit 2015 dhe qershorit 2016, ndërsa punonte në spitalin e lartpërmendur.
Letby u shpall gjithashtu fajtore për tentativën për të vrarë gjashtë foshnja të tjera në njësinë neonatale të spitalit, duke përdorur metoda të tilla si injektimi i qëllimshëm i ajrit, ushqyerja e tepërt dhe helmimi me insulinë. Aktakuza kishte gjithsej 22 pika.
Vendimi u mor pasi trupi gjykues diskutoi për më shumë se 110 orë. Gjatë gjyqit, i cili zgjati më shumë se 10 muaj, Letby tregoi emocione të ndryshme.
Ajo sot nuk ishte e pranishme në gjykatë gjatë dhënies së verdiktit. Prindërit e saj ishin të pranishëm gjatë gjykimit. Babai i saj kishte ulur kokën kurse nëna e saj po qante.
Lucy Letby lindi më 4 janar 1990 dhe u rrit në Hereford me prindërit e saj, John dhe Susan. Ajo ndoqi një shkollë dhe kolegj lokal.
Ajo tha se gjithmonë dëshironte të punonte me fëmijë dhe zgjodhi lëndët që do ta mbështesin më së miri atë karrierë. Pas përfundimit të studimeve, punoi në spitalin Kontesha e Chester nga janari 2012.
Prindërit e foshnjave ishin të pranishëm në sallën e gjyqit ishin dukshëm të mërzitur. Prokurorët thanë se donin 28 ditë për të shqyrtuar nëse do të kërkonin një gjyq të ri për gjashtë akuzat e pazgjidhura. Ata kanë afat deri më 15 shtator për të marrë këtë vendim. /Telegrafi/