Nga: Haruki Murakami
Përktheu: Elona Caslli
Nuk duhet t’i mbyllësh sytë. Nuk ndryshon asgjë. Gjërat nuk shuhen me mbylljen e syve. Përkundrazi, nëse i mbyll, do të shohësh që kur t’i hapësh përsëri, gjërat do të jenë përkeqësuar më shumë.
Kjo është bota ku jetojmë, Nakata. Duhet t’i mbash sytë hapur. Matufët i mbyllin sytë. Frikacakët nuk e shohin dot në sy realitetin.
Teksa mbyll sytë dhe zë veshët me duar, koha kalon.
Tik-tak-tik-tak.
Sot është e hënë dhe jemi pushim.
Vetë biblioteka, që është shumë e qetë edhe kur është hapur, po ta shohësh në ditët e pushimit të mbyllur, do të kuptosh se ka një qetësi të tepruar.
Duket si vend i harruar nga koha, ose më mirë, si një vend që e mban frymën brenda me shpresën se koha nuk do ta vërë re ekzistencën e tij.