Site icon Telegrafi

Mbyllja e programeve të UP-së rrezikon fabrikat e Kosovës

Një hulumtim tregon se mbyllja e programeve të caktuara të studimeve në Universitetin e Prishtinës mund ta rrezikojë funksionimin e kompanive gjigande në vend të cilat merren me industri.

Në Kosovë ka mijëra të rinjë të papunë, ndërsa të dhënat tregojnë se në mungesë kuadrosh në Kosovë punojnë 2500 të huaj.

Studentë të Metalurgjisë, Xehtarisë, Elektroteknikës, Energjetikës, Teknologjisë, Makinerisë dhe Gjeologjisë i duhen Fabrikës së Feronikelit e cila deri më tani mbetet investimi më i madh privat në industrinë e rëndë në Kosovë.

Deri më tani kjo fabrikë ka punësuar, 1 mijë e 18 persona, dhe mbi 300 të tjerë përmes kontraktorëve të ndryshëm.

Nënkryetari i Federatës Sindikale të Feronikelit, Abedin Haxhiu thotë se, nga Univeristeti i Prishtinës nuk kanë punësuar të tillë dhe se sipas tij studentëve të Univeristetit të Prishtinës u mungon praktika gjatë studimeve.

“Mendoj që Kosova ka pasur dhe ka kuadro për këto profesione. Secili nga profesionet do të ndihmonin edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Por, ekziston një problem, pasi tani këtyre studentëve po u mungon ushtrimi i punës praktike gjatë studimeve, dhe ashtu ata po bëhen të pa përgatitur”, ka thënë Haxhiu.

Kompania kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike “KEDS”, ka bashkëpunuar me Fakultetin Teknik që nga fillimi i operimeve, pra, nga viti 2013 me themelimin e programit KEDS Academy.

Edhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala thotë se, studentëve që dalin nga Univeristeti i Prishtinës, u mungon puna praktike, derisa vet ata me anë të programit KEDS Academy, avancojnë studentët në lëmin e tyre.

“Ne nuk kemi bërë ndonjë matje të përgjithshme të kuadrove që dalin nga ky fakultet. Por, ne e kemi programin tonë të KEDS Academy i cila i trajnon intenzivisht gjatë një viti studentët dhe ata profesionalizohen për tregun e punës në lëmi të caktuara. Ne jemi fokusuar në inxhinierinë elektrike, ku shumica e studentëve kanë qenë të kësaj lëmie. Në pesë gjeneratat e deritashme, janë trajnuar rreth 250 studentë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë pjesë e KEDS-it, ndërsa të tjerë, pas certifikimit ndërkombëtar nga Universiteti i mirënjohur Bogazici nga Stambolli, partner i KEDS-it për këtë program, kanë përfituar edhe bursa studimi nga universitetet më të njohura botërore. Pra, focus yni ka qenë që pjesë e Akademisë të jenë studentët më të mirë të kësaj dege, duke mos përjashtuar as degë dhe fakultete tjera nga UP-ja dhe universitetet tjera publike varësisht nga programi vjetor, dhe e kemi bërë avancimin e mëtutjeshëm profesional të tyre, duke i përgatitur liderët e së ardhmes”, ka thënë Buzhala.

Së fundmi, 19 programeve të studimit në universitete publike, për vitin akademik 2018/19 u është tërhequr akreditimi nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, siç është bërë e ditur nga ky institucion për shkak të mungesës së stafit akademik, ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ për Akreditim.

15 programeve që u është tërhequr akreditimi janë në Universitetin e Prishtinës.

Prorektori i UP-së, Hysen Bytyqi, ka thënë se në kohën kur janë pezulluar këto programe, Universiteti i Prishtinës nuk e ka plotësuar kushtin që të ketë të paktën tre profesorë me titull doktor shkence.

Por, pas këtij vendimi të gjitha strukturat e Universitetit të Prishtinës janë mobilizuar, ka thënë Bytyqi.

“Në fazën e implementimit të programeve studimore ata kanë dalë me një vendim se fakultetet duhet t’i kenë tre profesorë me titull doktor shkence për një program studimor. Në atë kohë, Universiteti i Prishtinës nuk i ka pasur në disa programe, sidomos në disa prej fakulteteve kyçe dhe kjo ka ndikuar që një gjë e tillë të ndodhë. Ne kemi shfrytëzuar këtë periudhë që të punojmë me dekanët që këto programe në procesin e ardhshëm të akreditimit, aty ku ka vend të ristrukturohen apo të rishikohen edhe një herë të aplikojmë dhe të jemi të sigurt që do të marrim akreditim”, ka thënë Bytyqi.

Në mesin e programeve që nuk janë akredituar për këtë vit është edhe ai i Elektroenergjetikës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës në të cilin për çdo vit regjistrohen rreth 100 studentë.

Dekani i Fakultetit, Enver Hamiti, bën me dije se, ky program ka interes nacional dhe për problematikën që mbyllja e këtij programi e shkakton janë njoftuar edhe ministritë përkatëse.

“Është njoftuar Ministria e Arsimit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Në këtë rast, por edhe te programet tjera të fakultetit tonë, bëhet fjalë për mungesë të theksuar të stafit të kualifikuar akademik. Për shkak të këtij problemi, është tërhequr akreditimi për studime master në programin e Elektroenergjetikës, si dhe në atë Automatike e Kompjuterizuar dhe Robotike”, ka thënë Enver Hamiti.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e pranojnë se ka programe që janë shumë të rëndësishme, por që janë në rrezik mbylljeje, ose edhe janë mbyllur në mungesë kuadrosh.

Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Tekonologjisë, Valmir Gashi bën me dije se kjo është një çështje me të cilën merren në vazhdimësi.

“Me kërkesë të ministrit Bytyqi, janë iniciuar disa takime të përbashkëta me institucionet në Shqipëri, ku dhe kemi diskutuar për mundësinë e mbështetjes me kuadro nga Shqipëria dhe anasjelltas, me qëllimin e vetëm që këto programe të rëndësishme të fuqizohen sa më parë. Ne jemi duke u angazhuar vazhdimisht që këto takime të vazhdojnë derisa të vijmë deri tek një bashkëpunim konkret”, ka thënë këshilltari politik në MASHT, Valmir Gashi.

Por, sa i kushton vendit, mbyllja e një programi që parasheh nxjerrjen e kuadrove që do të punësoheshin në të ardhmen në  Termocentralin “Kosova e Re”, i cili sipas zyrtarëve në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, është në një fazë pothuajse finale të mbylljes së të gjitha procedurave administrative, dhe sipas planifikimeve ndërtimi fizik pritet të fillojë në gjysmën e parë të vitit 2019. Kurse, punimet pritet të zgjasin rreth 4 vite. Pra përfundimi i ndërtimit dhe futja në prodhim pritet të bëhet në vitin 2023.

“Vendet e punës gjatë fazës së ndërtimit janë nga më të ndryshmet. Duke filluar nga punëtorët fizikë e deri tek inxhinierët e profesionistët e tjerë. Kurse, pasi të futet në operim Termocentrali do të nevojiten punëtorë profesionistë për Planifikim, Mirëmbajtje dhe Operim të termocentralit. Derisa Termocentrali “Kosova e Re” do të ndërtohet me teknologjinë më të re të testuar në botë, kuptohet që edhe profesionistët duhet të jenë të përgatitur për operimet me teknologjitë e reja. Ne si ministri disa herë e kemi ngritur si temë çështjen e kuadrove profesionale që duhet të shkollohen në Kosovë”.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, këshilltarja politike, Fitore Ajeti – Zhushi bën me dije se, nëse programi i Elektroenergjetikës nuk është akredituar, atëherë ky është një lajm tejet i rëndë për perspektivën e kësaj fushe specifike për vendin.

“Kjo do të ndikojë shumë negativisht për të ardhmen në sektorin e energjetikës, e specifikisht edhe për Termocentralin Kosova e Re, ku pastaj ekspertët për operim, planifikim dhe mirëmbajtje të këtij termocentrali do të duhet të sigurohen nga jashtë vendit, të cilët edhe do ta rrisin koston e operimeve. Urojmë që kjo çështje të zgjidhet dhe të orientohet drejt dhe sa më shpejtë në mënyrë që të krijojmë profesionistët tanë vendorë për një të ardhme afatgjatë dhe të mos bie në kolaps i gjithë sistemi”, ka thënë këshilltarja politike, Fitore Ajeti – Zhushi.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme jep lejet e punës për kuadrot deficitar dhe personat nga jashtë të cilët punësohen në Kosovë.

Në një përgjigje të shkurtë, zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë se, numri i të huajve që punojnë në Kosovë bazuar në të dhënat e tyre janë rreth 2500.

Sa i përket profesioneve kryesisht janë në sektorin bankar, shëndetësor, arsimor, ndërtimor ( p.sh Bektel Enka ) dhe profesione tjera në fushën e inxhinierisë ( p.sh Aeroporti, Feronikeli, KEDS etj).

Jo shumë kohë më më parë, kompania “Elkos Group” – Market që ofron një shumëllojshmëri të produkteve nga ndërtimi e deri tek paisjet sportive, patën hapur konkurs pikërisht për inxhinier të elektroenergjetikës. Pas mbylljes së konkursit, menaxheri i projekteve dhe mardhënive me publikun, Liridon Ibërhysaj, bëri me dije se, kanë gjetur kuadro të këtij profesioni por dhe profesioneve të tjera profesionale, mirëpo si kompani në zgjerim e sipër dhe sa i përket fushës së industrisë dhe prodhimit, nevoja për këto kuadro është tepër e madhe.

“Kompania “Elkos” në krijimin e vendeve të reja të punës parasheh edhe punësimin e të diplomuarve që kanë përfunduar drejtime profesionale siç është edhe drejtimi i elektroenergjetikës. Edhe pse deri më tani ka qenë egzistues ky drejtim, numri i aplikantëve në konkurset tona profesionale ka qenë i vogël, e tani me mbylljen e këtij programi në të ardhmen besoj që do të kemi probleme në gjetjen dhe punësimin e kuadrove të këtij drejtimi”, ka thënë Ibërhysaj.

Në Odën Ekonomike të Kosovës, mbylljen e një programi të tillë e shohin problematike.

Kryetari, Berat Rukiqi, thotë se, mbyllja e këtij programi paraqet një ndër problemet fundamentale për zhvillimin e sektorit privat.

“Problem në rritje është mungesa e shkathtësive të fuqisë punëtore. Ky problem origjinën e ka në hendekun e krijuar mes asaj se çka ofron sistemi arsimor dhe çka kërkon tregu i punës. Ne po kërkojmë vazhdimisht që çdo rritje e buxhetit për arsim të adreson qartë dhe konkret këtë hendek. Nëse nuk kemi lëvizje të shpejtë në reformë të programeve, kurrikulave, standardeve profesionale, dëmi për aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve tona do të jetë shumë i madh”, ka thënë Rukiqi.

Ndërkohë edhe në Komisionin Parlamentar për Arsimin, çështjen e shpërputhjes së tregut të punës me programet univeristare e shohin shqetësuese. Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi shprehet se, Agjencioni për Akreditim duhet nisur në zbatim idenë për këtë çështje.

“As një e katërta e studentëve që diplomojnë nuk kanë vende pune prandaj duhet krijuar kuadro të afta për tregun e punës duke e analizuar tregun e punës se çka kërkohet më shumë dhe Agjencioni për Akreditmin në ketë drejtim luan rol të madh”, ka thënë Kurteshi.

Në anën tjetër edhe njohës të çështjeve të arsimit, bëjnë me dije se, mbyllja e programit të Elektroenergjetikës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike është shembulli më i mirë se në Kosovë nuk ka shumë lidhje në mes të prioriteteve zhvillimore të vendit, tregut të punës dhe asaj çfarë ofrohet në arsimin e lartë.

Njohësi, Dukagjin Pupovci shprehet se, përgjegjës në këtë rast është Univeristeti i Prishtinës dhe, në veçanti, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

“Mendoj se është mëkat i madh që programi i Elektroenergjetikës i cili operon tani 50 vjet të mbyllet për shkak të mungesës së kuadrit, sidomos kur dihet se në atë program ka pasur numër të konsiderueshëm të profesorëve shumë kompetentë. Ky program përgatit inxhinerë për prodhimin e energjisë elektrike, ndërkohë që Kosova planifikon investime të mëdha në këtë fushë. Përderisa programet e mbyllura nuk ofrohen nga asnjë institucion tjetër i arsimit të lartë në Kosovë, vazhdon regjistrimi i qindra dhe mijëra studentëve në dhjetëra programe paralele që ofrohen për ato fusha ku tanimë mundësitë për të gjetur punë janë minimale: juridik, ekonomik, shkenca politike, e të ngjashme”, ka thënë Popovci.

Njohësi tjetër i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja thotë se, shumë profile, përfshirë atë të elektroenergjetikes, përmbajtësish nuk janë në përputhje me nevojat e vërteta të biznesit. Sipas tij, mungesa e një sistemi të përbashkët të data bazave në mes MPMS dhe MASHT ka lejuar që profilet dhe programet aktualisht të akredituara në vend të mos jenë të përditësuara me nevojat e vërteta të tregut.

“Për shkak të dinamikës në treg të punës, nevojat për shumë profile janë duke ndryshuar brenda pak vitesh. Për shumë profile tregu nuk ka fuqi absorbuese, nga ana tjetër shumë të tjera janë në mungesë. Besoj që një sistem i mirëfilltë i arsimit mund të ketë potencial të krijoj industri të reja, dhe e kundërta industritë e fuqishme mund të rrisin cilësinë në arsim – fatkeqësisht tek ne ende nuk ndodh asnjëra”, ka thënë Qehaja.

Në anën tjetër, edhe njohësi i çështjeve të Ekonomisë, njëkohësisht profesor në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj thotë se, lidhja mes tregut të punës dhe asaj cfarë duhet të ofroj arsimi i lartë është dashur të planifikohet më herët dhe jo Ad-Hoc. Sa i përket mbylljes së programit të Elektroenergjetikës, Ramosaj shprehet se, është shpërfaqje e mbylljes në vetvete të menaxhmentit të UP-së.

“Së pari, mbyllja dhe hapja e programeve nuk duhet të na shqetësoj, është proces i natyrshëm i lëvizjes dhe zhvillimit të arsimit sipëror. Por në këtë rast, përgjegjësia bie në menaxhmentin e Universitetit dhe Fakultetit për mangësi eventuale në staf. Duke marrë parasysh dobësitë e këtij menaxhmenti të Universitetit Publik, shtyrohet pyetja pse nuk angazhojnë personel nga jashtë, kur një gjë të tillë e bëjnë krejt kolegjet private. Nuk ekzistojnë dikund institucionet e shkollimit vetëm me resurset e brendshme, andaj fakultetet duhet të hapen në aspektin e rekrutimit apo angazhimit të bashkëpuntorëve të jashtëm. Kjo që po e bëjnë fakultetet tregon për një mbyllje në vetvete, gjë që na dërgon deri të këto konsekuenca të mungesave”, ka thënë Ramosaj.

Por, si janë të rregulluara këto cështje në vendet në rajon? Në Univeristetin Shtetëror të Tetovës, programet studimore të të gjitha cikleve hartohen në përputhje me kërkesat e tregut të punës, që nënkupton se të njëjtat evaluohen para dhe pas akreditimit të tyre, por edhe në mënyrë të vazhdueshme derisa sa janë aktive.

Koordinator i ECT-së në Universitetin e Tetovës, Kushtrim Ahmeti thotë se, realizimi i analizës së tregut nga ana e Universitetit bëhet me qëllim të përputhshmërisë më të madhe me nevojat reale të shoqërisë që shërben për krijim të planit strategjik afatgjatë në lidhje me dhënien e rëndësisë së programeve studimore.

“Të gjitha programet studimore të njësive akademike akreditohen çdo pesë vjet. Kjo nënkupton se këtij procesi i paraprin evaluimi i programeve, të cilin e realizon stafi akademik i programit studimor, gjithmonë duke marrë parasysh nevojat e tregut të punës. Komisionet për evaluim të njësive akademike, trajtojnë edhe programet studimore, lëndët, kreditë, shpërndarjen e tyre, llojin e lëndëve në korrelacion me kompetencat që duhet të përfitojnë studentët gjatë studimeve, kriteret dhe mënyrën e vlerësimit, metodat e mësimdhënies. Gjithashtu vlerësohen edhe struktura e mësimdhënësve, bashkëpunëtorëve, studentëve, proporcioni i mësimdhënësve me studentët, me qëllim që të realizohen përgatitjet në lidhje me kërkesat, mes tjerash, edhe për numrin e studentëve që duhet të regjistrohen në vitin vijues”, ka thënë Ahmeti.

Realizimi i analizës së tregut nga ana e Universitetit Shtetëror të Tetovës bëhet përmes Kornizës Nacionale të Kualifikimeve.

“Korniza Nacionale e Kualifikimeve e cila është në harmoni të plotë me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve mundëson që nga afër të përcaktohen profili, qëllimet dhe pikat nisëse për hartimin e programeve studimore të ciklit të parë, dytë dhe të tretë si dhe programet studimore të arsimit profesional më të shkurtra se tre vite. Kështu u mundësohet universiteteve, por edhe punëdhënësve dhe vetë  studentëve t’i kuptojnë arritjet dhe specifikat e përgatitjes profesionale të fituar si dhe lidhshmërisë së kualifikimeve mes vete. Përshkrimi i rezultateve të mësimit(nxënies) për një nivel të caktuar të kualifikimit shprehet me deskriptorët e kualifikimeve: Dije dhe kuptim, aplikim i dijes dhe kuptimit, aftësi për vlerësim, shkathtësi komunikimi dhe shkathtësi për mësim (nxënie)”, ka thënë Ahmeti. /BIRN/Telegrafi/

Exit mobile version