Mbyllja e pesë komunave paralele serbe në veri nga njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, po vlerësohet të jetë konform zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës.
Profesori Avni Islami tha se aksioni i djeshëm policor është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, dhe se është një test i mirë për vetë shtetin tonë dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Ndërsa për mbylljen e komunave paralele serbe pati reagime nga ndërkombëtarët, Islami vlerëson se situatën në veri mund ta përshkallëzojë vetëm bashkësia ndërkombëtare, e që sipas tij “ata siç duket janë të interesuar që mos të ketë qetësi në veri.”
“Pra, aksioni i djeshëm përveç që ishte në përputhje me ligjin dhe me kushtetutën tregoi që askujt nuk i pengon që institucionet të Republikës së Kosovës, të veprojnë komfor ligjit dhe Kushtetutës së vendit. Përshkallëzim të situatës, mund ta përshkallëzojë vetëm bashkësia ndërkombëtare, sepse ata, siç duket, janë të interesuar që mos të ketë qetësi në veriun e Kosovës, sepse edhe para 24 shtatorit të vitit të kaluar me rastin e Banjskës, kemi pasur të njëjtën situatë ku madje Kosova edhe ishte dënuar me sanksione. Prandaj, edhe kësaj radhe prapë bashkësia ndërkombëtare do të bie në provim, sepse institucionet e vendit kanë të drejtë. Kjo kur të kihet parasysh që vetë serbët lokalë janë të interesuar që të vendoset rend dhe ligj dhe ata sa më parë të jetë e mundur që të jenë pjesë e vendimmarrjeve të veta aq më mirë është për ta dhe për të gjithë ata që jetojnë në veriun e Kosovës dhe për Republikën e vendit”, potencoi Islami, për KosovaPress.
Islami theksoi se shteti i Kosovës është duke zbatuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit dhe se shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare janë të ngritura artificialisht.
“Operacioni i djeshëm i institucioneve të sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal është në vazhdën e zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës të marrëveshjeve të mëparshme, ku përmes Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar një marrëveshje se strukturat ilegale paralele të shuhen. Dhe kur të jetë parasysh që shteti i Kosovës është duke zbatuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit dhe marrëveshjet e tilla, atëherë të gjitha këto tensione të cilat po përpiqen disa vende të bashkësisë ndërkombëtare që artificialisht të ngrenë shqetësime, bien ndesh me ato se çfarë është nënshkruar dhe çfarë kanë thënë më parë. Prandaj, dje ishte një test i mirë edhe për institucionet e Republikës së Kosovës edhe për vetë ndërkombëtarët, sepse atë çfarë e thanë ndërkombëtarët nuk doli të jetë ashtu, sepse qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe komuniteteve të tjera janë të interesuar qe të jenë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe të zbatojnë ligjet e këtij vendi’, tha Islami.
Ndaj aksionit në veri kanë reaguar SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian, duke thënë se veprimet e tilla kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë./KP/Telegrafi/